Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Foto: Vjosa Osmani/Facebook
Osmani takohet me Ursula von der Leyen, thotë se po i vazhdojnë diskutimet e para dy javëve
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të qëndrimit të saj në Budapest për Samitin e Komunitetit Politik Evropian, ka takuar edhe presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, më 08.11.2024.
Presidentja Osmani ka publikuar një fotografi me von der Leyen dhe ka treguar se kanë vazhduar diskutimet që i kishin bërë në vizitën e fundit të von der Leyen në Kosovë.
“Me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, vazhdim i diskutimeve që i filluam gjatë vizitës së saj të fundit në Kosovë, para më pak se dy javësh” – ka shkruar Osmani në Facebook, më 08.11.2024.
Von der Leyen e vizitoi Kosovën më 26.10.2024, e në një konferencë të përbashkët presidenten Osmani në Prishtinë tha se Kosova ka ende punë në mënyrë që shtetet anëtare të BE-së të vijnë në përfundim për heqjen e masave ndaj Kosovës.
“Është shumë e rëndësishme të punojmë së bashku, dhe ne kemi mirëpritur hapjen e kufirit dhe avancimin në CEFTA dhe pas kësaj duhet të punojmë për hapa të mëtejshëm që të arrijmë në një pikë ku mund të hiqen masat dhe kjo do të ndihmojë të binden shtetet anëtare. Pasi siç e dini të gjitha shtetet anëtare duhet të jenë dakord për heqjen e masave”- tha Von der Leyen më 26.10.2024.
Ajo shtoi se bashkë me presidenten Osmani, janë të përkushtuara që të gjejnë hapat e nevojshëm për të arritur këto qëllime.
Për të, ajo tha se është e rëndësishme ta shohin Kosovën si partnere të BE-së, dhe ta bëjnë të mundur rrugën e Kosovës drejt shtëpisë europiane.
Ndryshe prej saj, presidentja Osmani tha se është koha që BE-ja t’i heqë masat ndaj Kosovës.
Von der Leyen u prit edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Në një komunikatë të Zyrës së Kryeministrit, më 26.10.2024, u tha se gjatë takimit kryeministri Kurti ka kërkuar largimin e plotë dhe të menjëhershëm të masave ndaj Kosovës dhe marrjen e statusit kandidat të Bashkimit Europian.
Në anën tjetër, presidentja Osmani ka njoftuar gjatë ditës së sotme se gjatë pjesëmarrjes në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, ka takuar kryetaren e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer dhe me kryeministrin e Estonisë, Kristen Michal.