Osmani takohet me Sorensen, flasin për zhvillimet në vend dhe pritshmëritë nga Dialogu

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Peter Sørensen, përfaqësues i ri i Bashkimit Europian për Dialogun Kosovë-Serbi.

Osmani ka njoftuar se me Sorensenin ka biseduar për zhvillimet e fundit në vend dhe pritshmëritë nga Dialogu i Brukselit.

“Do të vazhdojmë të punojmë me aleatët tanë që ky proces të përmbyllet me njohje të ndërsjellë dhe mbrojtjen e sovranitetit, kushtetutshmërisë dhe integritetit territorial të Republikës sonë.” – ka shkruar Osmani mes të tjerash.

Peter Sorensen ka marrë pëlqimin përfundimtar, më 27.01.2025, nga Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian për postin e Përfaqësuesit të Posaçëm të Bllokut për Dialogun për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Sorensen ka përvojë të gjatë diplomatike në strukturat e BE-së. Ai është aktualisht Këshilltar i Lartë në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) për diplomaci digjitale.

Gjatë karrierës së tij diplomatike në BE, Sorensen ka ushtruar disa detyra në Ballkanin Perëndimor. Ka shërbyer si Përfaqësues i Posaçëm i BE-së për Bosnjë e Hercegovinë dhe Shef i Zyrës së BE-së, në Sarajevë. Po ashtu, ka qenë edhe Shef i delegacionit të bllokut evropian, në Shkup.

Më herët Sorensen ka punuar si Këshilltar edhe në Kosovë, në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa ka qenë edhe Përfaqësues i Posaçëm i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së në Serbi.

Në Ballkan, ai ka punuar edhe në misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në Kroaci.

Përvoja e tij nga rajoni thuhet se ka qenë edhe një prej argumenteve se pse Kaja Kallas ka vendosur që ai të jetë pasardhësi i Lajçakut.

Për postin e lehtësuesit të Dialogut garoi edhe emri i ish-ministrit të Jashtëm të Finlandës, Pekka Haavisto, i cili po ashtu ka njohuri për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.

Për këto rol ishte përmendur edhe emri i ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Sllovenisë, Borut Pahor. Vitin e kaluar, ai pranoi se ishte i interesuar për këtë post. Por, gjatë janarit të këtij viti tha se nuk do të garonte për këtë post, pasi ka kuptuar se kërkohet më shumë një nivel diplomatik, sesa politik.

Ndryshe, gjatë mandatit gati pesëvjeçar të Lajçakut, Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve.

Marrëveshja, e cila nuk është nënshkruar, është ligjërisht e obligueshme për palët – ka thënë blloku. BE-ja ka akuzuar Kosovën dhe Serbinë për mosnisjen e zbatimit të paktit – duke thënë se kjo do të ndikojë në rrugëtimin e dy shteteve drejt integrimeve evropiane.

Dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011. Gjatë procesit janë arritur disa Marrëveshje, por pak prej tyre janë zbatuar në terren.

Para Sorensenit, postin e tij e mbante Mirosllav Lajçak.

Kosova dhe Serbia janë në bisedime të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrëdhënieve, që nga viti 2011.

Ky proces kishte nisur fillimisht për çështje teknike, për të kaluar më pas në nivel politik.

Më 18 mars 2023, Kosova dhe Serbia në Ohër të Maqedonisë së Veriut u dakorduan për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit.

Dy liderët u pajtuan që Kosova dhe Serbia të zhvillonin marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën dhe ndër të tjera t’i njihnin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës – përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore, ndonëse nuk përmend njohjen e ndërsjellë.

Kosova merrte obligime për t’i zbatuar Marrëveshjet e arritura më herët – përfshirë atë që e parasheh krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe – ndërsa Serbia nuk do ta kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në asnjë Organizatë Ndërkombëtare. E, si “shpërblim” për zbatimin e Marrëveshjes bazë, BE-ja kishte marrë përsipër të organizonte një Konferencë donatorësh brenda 150 ditësh, për të krijuar një paketë investimesh dhe ndihmë financiare për Kosovën dhe Serbinë. Por, asnjë shpërndarje nuk do të ndodhë përpara se BE-ja të përcaktojë se të gjitha dispozitat e Marrëveshjes janë zbatuar plotësisht. Dhe, me gjithë pritjet se gjërat po merrnin rrjedhë pozitive, zhvillimet e mëvonshme në terren quan procesin në kah krejt të kundërt. E, Marrëveshja mbeti vetëm në letër.

Palët nuk e nënshkruan Marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara janë deklaruar se pavarësisht se nuk është firmosur, ajo është Marrëveshje e obligueshme për palët.

Kurti kërkoi të nënshkruhet Marrëveshja e Ohrit nga palët – duke insistuar se vetëm ashtu garantohet zbatimi.

“Presidenti i Serbisë nuk ishte i gatshëm ta respektonte asnjërën. Ne jemi për Dialog për normalizim. Kjo bëhet me pranimin në tërësi të Marrëveshjes dhe zbatimin e saj.” – kishte deklaruar Kurti, më 28.06.2024, në një mbledhje të Qeverisë së Kosovës.

Sipas tij nënshkrimi i Marrëveshjes nënkupton formalizim, kurse dorëzimi i Radoiçiqit do të kuptonte vendosje të drejtësisë.

Ndaj 45 personave, në krye të të cilëve qëndron ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, është ngritur Aktakuzë, më 11.09.2024, nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Sipas Aktakuzës në mbi 45 të akuzuarit rëndojnë veprat penale për: “terrorizëm”, “financim terrorizmi” dhe “shpëlarje e parasë”. Kjo pasi të njëjtit akuzohen se, më 24.09.2023, kanë kryer sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit – duke lënë të vrarë zyrtarin policor, Afrim Bunjaku.

Marrëveshjet për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, sfidë për Qeverinë e re të Kosovës