Osmani takohet me presidentin e Letonisë, flasin për thellim të raporteve shtetërore

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës së saj në New York është takuar me homologun e saj të Letonisë, Egils Levits.

Gjatë këtij takimi, Osmani ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është domosdoshmëri për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve të Kosovës, pa dallim përkatësie.

Osmani dhe Levits kanë diskutuar edhe për marrëdhëniet bilaterale, situatën aktuale në Kosovë, rajon e më gjerë dhe pasojat e zhvillimeve të fundit në luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

“Në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në luftën e paprovokuar të Putinit kundër Ukrainës dhe pasojat e tyre në raport me paqen dhe sigurinë në kontinentin evropian. Presidentja Osmani nënvizoi se Kosova është tërësisht në linjë me qëndrimet e SHBA-ve, Britanisë së Madhe, NATO-s dhe BE-së kundër luftës së Rusisë kundër Ukrainës” – thuhet në komunikatë.

Ata kanë diskutuar edhe për thellimin e raporteve bilaterale dhe ngritjes së tyre në nivel të partneritetit strategjik në fushën e mbrojtjes, sigurisë kibernetike dhe digjitalizimit.

Në komunikatë thuhet se Osmani ka falënderuar presidentin Levits për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës, në veçanti në funksion të konsolidimit ndërkombëtar.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron në Nju Jork në margjina të sesionit të 77-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.