Osmani takohet me presidenten e Parlamentit Europian, e informon për sulmin në kanalin e "Ibër-Lepencit"

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të vizitës në Bruksel më 04.12.2024 është takuar me presidenten e Parlamentit Europian, Roberta Metsola.

Osmani e ka informuar presidenten Metsola për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë, përfshirë sulmin terrorist ndaj infrastrukturës vitale të Kosovës.

Ndërsa ka nënvizuar lidhjet e qarta të Serbisë me këto sulme.

“Gjatë bisedës, Presidentja Osmani e informoi Presidenten Metsola për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë, përfshirë sulmin terrorist ndaj infrastrukturës vitale të Kosovës. Ajo nënvizoi lidhjet e qarta të Serbisë me këto sulme, duke përfshirë edhe aktin e agresionit të vitit të kaluar në Banjskë për të cilin ende nuk ka llogaridhënie. Presidentja theksoi se është thelbësore që autorët e këtyre krimeve të mbajnë përgjegjësi dhe të përballen me drejtësinë”- thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.

Osmani tutje ka rikonfirmuar angazhimin e Kosovës për një partneritet të ngushtë me Parlamentin Europian, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për përparimin e integrimit të Kosovës në BE.

Ndërsa ka kërkuar mbështetje për avancimin e aplikimit të Kosovës për statusin e vendit kandidat në BE, si dhe largimin e masave, të cilat, sipas Osmanit, më së shumti po i dëmtojnë qytetarët e Kosovës.

Sulmi që kishte dëmtuar kanalin e ujit të “Ibër-Lepencit” ka ndodhur më 29.11.2024 dhe ishte cilësuar nga Qeveria e Kosovës si sulm terrorist.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë se sulmi është kryer nga grupe terroriste.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka mohuar që Serbia ka lidhje me sulmin në kanalin e “Ibër- Lepencit” në komunën e Zubin Potokut.

Për sulmin në kanalin e Ibër- Lepencit, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se është përdorur një sasi e konsiderueshme e eksplozivit, nga 15 deri në 20 kilogramë, i cili dyshohet se është aktivizuar me detonator mekanik përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme.

Pas shpërthimit, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme më 30.11.2024, në ora 01:30h.

Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën paraprake. Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.

Këtë sulm e kanë dënuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian. Edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovës, Jorn Rohde, e ka dënuar po ashtu shpërthimin në Zubin Potok.