Osmani takohet me Macron dhe Scholz, flasin për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.

Osmani ka thënë se me ta kanë diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë.

“Së bashku me Presidentin Emmanuel Macron dhe Kancelarin Olaf Scholz, si dhe me përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme të BE-së, Josep Borrell, diskutuam zhvillimet e fundit në Kosovë dhe angazhimin e përbashkët për paqe, siguri dhe stabilitet”- ka thënë Osmani.

“Në këtë kohë përcaktuese për sigurinë në rajon e Evropë, bashkëpunimi me partnerët tanë është kyç” – citohet të ketë thënë Osmani.

 

Ky takim është zhvilluar në kuadër të samitit të Komunitetit Politik Evropian që po zhvillohet në Kishinau të Moldavisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se delegacioni i Kosovës nuk ka dashur të takohet me delegacionin serb në samitin e Komitetit Politik Evropian në kryeqytetin moldav, Kishinau – ku Kosovën po e përfaqëson presidentja Vjosa Osmani.

Lidhur me këtë, KALLXO.com ka kërkuar informacione nga Presidenca e Kosovës dhe është në pritje të përgjigjes.

Katër komunat e veriut të Kosovës që nga e premtja e javës së kaluar janë në një gjendje të tensionuar të sigurisë.  Serbët në në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq po vazhdojnë protestën e tyre për të pestën ditë më radhë.

Ata po kundërshtojnë vendosjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale, nga komuniteti shqiptarë.