Osmani takohet me kryeministrin e Katarit, kërkohet avancimi i bashkëpunimit diplomatik
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu është takuar sot kryeministrin e Katarit, Sheikh Khalid bin Khalifa bin Abdulaziz Al Thani gjatë pjesëmarrjes në Forumin e Dohas.
Sipas njoftimit të Presidencës, presidentja Osmani ka vlerësuar lartë marrëdhëniet miqësore në mes të dy vendeve.
Në kontekstin e Forumit të Dohas, Osmani ritheksoi përpjekjet e përbashkëta të Kosovës dhe Katarit si dy vende paqedashëse, gatishmërinë për t’i adresuar sfidat bashkëkohore.
Osmani falënderoi kryeministrin për mbështetjen ndaj Kosovës që nga paslufta, duke përfshirë realizimin e projekteve të ndryshme të financuara nga populli dhe shteti i Katarit.
Po ashtu, Osmani shprehu gatishmërinë e institucioneve tona të thellojnë bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar me Katarin.
Presidentja vlerësoi rolin e rëndësishëm të Katarit në mbështetjen e Kosovës në iniciativa të ndryshme ndërkombëtare.
Ajo potencoi nevojën për të avancuar bashkëpunimin diplomatik duke u anëtarësuar edhe në organizata ndërkombëtare në të cilat akoma Kosova nuk është e përfaqësuar si dhe duke e rritur numrin e njohjeve për pavarësinë e Kosovës.
Osmani është duke qëndruar në Katar në hapje të Doha Forum, së bashku me liderë nga vende të ndryshme të botës.
Forumi është hapur nga emiri i Katarit, si dhe ka vazhduar me adresimin virtual nga presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.
Forumi i Dohas 2022 po mbahet nën slloganin “Transformimi për një epokë të re” dhe ka mbledhur liderë botëror, politikëbërës, studiues dhe përfaqësues të shoqërisë civile për të diskutuar hapat përpara pas zhvillimeve të shkaktuara nga pandemia në të gjitha aspektet e jetës dhe zhvillimeve të fundit gjeopolitike, përfshirë luftën në Ukrainë.