Osmani takohet me ekipin vëzhgues të zgjedhjeve të BE-së, kërkon fokus në përfaqësimin e grave në këtë proces

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 16.01.2025 priti në takim ekipin e Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të Bashkimit Europian, të kryesuar nga Nathalie Loiseau, njëherësh deputete e Parlamentit Europian.

Ky takim thuhet se u zhvillua në kuadër të “angazhimeve të përbashkëta për të siguruar një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm dhe demokratik në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.”

Sipas njoftimit, në takim diskutuan rëndësinë e një procesi zgjedhor të lirë, të ndershëm dhe transparent, duke nënvizuar se Kosova tashmë ka dëshmuar përkushtimin e saj në organizimin e zgjedhjeve demokratike.

Në takim, Osmani ka ritheksuar kërkesën e bërë edhe në letrën dërguar të Josep Borrell, në mënyrë që ky mision të përfshijë gjithashtu një fokus të veçantë në përfaqësimin e grave në të gjitha fazat e procesit zgjedhor.

“Ajo theksoi rëndësinë e përfaqësimit të grave në listat zgjedhore, buxhetimin gjinor, praninë e tyre në media, si dhe trajtimin e çështjeve të dhunës me bazë gjinore gjatë fushatës, përfshirë dhunën në internet. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani, gjithashtu ritheksoi kërkesën që ky mision, të fokusohet edhe në respektimin  e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, posaçërisht sa i përket qasjes së tyre në vendvotime”- thuhet në njoftim.

Ndërsa tutje është bërë e ditur që Osmani vlerësoi se barazia gjinore është një nga parimet themelore të demokracisë dhe duhet të reflektohet në të gjitha aspektet e procesit zgjedhor.

Tutje thuhet se Osmani bazuar në raportet e mbarëvajtjes së zgjedhjeve të kaluara, përfshirë raportet e misioneve vëzhguese të BE-së, të cilat kanë konstatuar se në komunat veriore të Republikës së Kosovës ka pasur ndërhyrje të paligjshme, frikësim dhe pengim të realizimit të së drejtës për votim të lirë, shtroi nevojën që vëzhguesit e këtij Misioni të BE-së, të sigurohen se e monitorojnë se a po realizohet e drejta e votës së lirë në plotëni, konform  standardeve më të larta demokratike në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Osmani përmes një letre të dërguar më 03.09.2023, për përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka kërkuar dërgimin e një Misioni të Vëzhgimit të Zgjedhjeve.

Sipas njoftimit, në këtë kontekst, Osmani ka shprehur mirënjohjen për angazhimin e vazhdueshëm të BE-së në mbështetje të demokracisë në Kosovë dhe rikujtoi rëndësinë e misioneve vëzhguese të BE-së që nga viti 2013.

Zgjedhjet nacionale në Kosovë do të mbahen më 09.02.2025.