Osmani takohet me diplomatin turk: Forcimi i partneritetit mbetet përkushtim i përbashkët
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot më 06.09.2024 në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan.
Ajo ka thënë se e ka falënderuar ministrin për miqësinë dhe mbështetjen e shtetit turk për Republikën e Kosovës në çdo etapë e proces.
Ndërsa, ka shtuar se forcimi i partneritetit mbetet përkushtim i përbashkët.
“Me ministrin diskutuam për potencialin e bashkëpunimit përfshirë fushën e politikës së jashtme dhe mbrojtjes, si dhe fusha të tjera të interesit të ndërsjellë. Forcimi i partneritetit midis Kosovës dhe Turqisë mbetet përkushtim i përbashkët”- ka shkruar ajo në Facebook.
Ministri i Jashtëm i Turqisë ka qëndruar sot më 06.09.2024 në Kosovë. Ai fillimisht u takua me homologen e tij, Donika Gërvalla.
Pas takimit, Fidan tha se vendi i tij e mbështetë Kosovën e pavarur dhe sovrane dhe e konsiderojnë me rëndësi të madhe që Kosova “të qëndrojë në këmbët e saj”.
Sipas tij, problemet mes Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhen vetëm me dialog.
Ndërsa ka thënë se Turqia mbështet përpjekjet për normalizim të dy vendeve dhe se si shtet nuk hezitojnë të marrin përgjegjësi në këtë drejtim.