Vjosa Osmani dhe ambasadori gjerman Jorn Rohde. Foto: Presidenca e Kosovës

Osmani takohet me ambasadorin gjerman: Ndërkombëtarët duhet t’i dërgojnë mesazhe Serbisë se nuk tolerohet retorika e saj nxitëse

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se komuniteti ndërkombëtar duhet t’i dërgojë mesazhe të qarta Serbisë se nuk do të tolerohet retorika e saj nxitëse dhe veprimet e dhunshme nëpërmjet strukturave ilegale në veri të Kosovës.

Këtë citohet ta ketë thënë presidentja në një takim që e ka zhvilluar sot me ambasadorin e Gjermanisë, Jorn Rohde.

Sipas komunikatës së Presidencës, Osmani me ambasadorin kanë biseduar për situatën e përgjithshme në vend dhe rajon.

“Presidentja Osmani ka theksuar se në raport me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, institucionet e Kosovës janë të përkushtuara ta vazhdojnë koordinimin e plotë me partnerët ndërkombëtarë, ashtu siç janë koordinuar edhe deri më tani. Sipas Presidentes Osmani, Kosova është gjithnjë e gatshme që të ndërmarrë hapa, të cilët kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin e vendit dhe rajonit”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, thuhet se në takim është diskutuar për kandidaturën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe punën e vazhdueshme në nivele të ndryshme të qeverisjes dhe diplomacisë për ta përmbyllur me sukses këtë proces.

“U diskutua, poashtu edhe rëndësia e përmbylljes sa më parë të procesit për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës si dhe për organizimin e Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, nikoqir i të cilit do të jetë Presidentja Osmani në muajin tetor të këtij viti në Prishtinë”, thuhet në komunikatën e Presidencës.