Vjosa Osmani dhe Dritan Abazoviq. Foto: Presidenca e Kosovës

Osmani takohet me Abazoviqin, flasin për zgjerimin e bashkëpunimit në disa fusha

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës zyrtare në Mal të Zi është pritur në takim nga kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Sipas njoftimit, në takim me Abazoviqin, presidentja Osmani vlerësoi lart fqinjësinë me Malin e Zi, për të cilën sipas saj, kontribuojnë komuniteti shqiptar në këtë shtet dhe ai malazez në Kosovë.

“Osmani tha se për Kosovën, Mali i Zi është një partner, te i cili ka gjetur mbështetje në vazhdimësi dhe shfaqi shpresën se kjo mbështetje do të vazhdojë edhe më tej”- thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.

Osmani ka theksuar se forcimi i vazhdueshëm i Kosovës në arenën ndërkombëtare ka nevojë për mbështetjen e shteteve mike si Mali i Zi.

“Në këtë takim u diskutua edhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e shkëmbimit ekonomik, tregtar, turizëm, arsim dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm”- thuhet tutje në njoftim.

Ajo tutje ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është me rëndësi për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim, ndaj ritheksoi rëndësinë e mbështetjes nga Mali i Zi.

Tutje Osmani dhe Abazoviq diskutuan edhe për zhvillimet aktuale në rajon me ç`rast është vënë theks i veçantë në tendencat e Rusisë dhe Serbisë për destabilizim të Kosovës, Malit të Zi dhe rajonit.