Osmani: Shoqëria duhet t'u qëndrojë afër grave të dhunuara gjatë luftës

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se institucionet e shoqëria duhet t’u qëndrojnë afër grave të cilat ishin viktima të dhunës seksuale në luftë.

Osmani këtë e ka thënë pas një vizite organizatën “Medica Gjakova”.

“Të mbijetuarat e dhunës seksuale në luftë janë viktima të dyfishta: së pari janë viktimë e vetë krimit, e së dyti, viktima të paragjykimeve nga shoqëria, sa që një pjesë e madhe zgjedhin t’i vuajnë pasojat emocionale e traumatike në heshtje e izolim të plotë. E mbi të gjitha, ato duan drejtësi”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Osmani ka shtuar se këto gra kanë pak mbështetës në anën e tyre.

“Por ne mbështetësit e tyre jemi ende të paktë në numër. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me mbështetje, por ka të bëjë me kuptimin e vërtetë të vuajtjes e pasojave shkatërruese shumëdimensionale të luftërave. Të jemi aty për të mbijetuarit, do të thotë të jesh aty për t’u ballafaquar plotësisht me të kaluarën, për të udhëhequr shoqërinë tonë drejt një rehabilitimi të shëndoshë, solidar, e me me mirëkuptim të plotë për vuajtjet e brengat e secilës e secilit”, ka shkruar ajo.

Sipas Osmanit, të jesh me to do të thotë të kërkosh çdo ditë e me ngulm drejtësi.

Shtëpia “Medica Gjakova” ka arritur të jetë puna e mbi 1,800 grave të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe dhunës në baza gjinore, në trevjeçarin e fundit.

Shtëpia në Gjakovë që krijon stabilitet financiar për gratë viktima të dhunës

.