Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Osmani: Serbia nuk është e interesuar për paqe e stabilitet në rajon

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia nuk është e interesuar për paqe e stabilitet në rajon por, sipas saj tregon se akoma dëshiron të shkaktojë destabilitet duke qenë e ndikuar edhe nga Rusia.

“Nuk duhet të befasohemi nga gjuha e ministrit të Millosheviqit. Vuçiq ka qenë ministër i propagandës gjatë luftërave në ish-Jugosllavi të shkaktuara nga ish shefat e tij dhe për fat të keq edhe tani në vitin 2022 po e dëshmon logjikën e njëjtë të shekullit të kaluar. Akoma nuk e ka dënuar asnjë nga krimet e regjimit të Millosheviqit, përkundrazi vazhdon ta glorifikojë Millosheviqin dhe ta shfajësoj atë për krimet e kryera në Kosovë”, tha Osmani.

Presidentja shtoi se armatimi i Serbisë nuk po ndodhë vetëm tani, por tash e 10 vjet.

“Tani ka marr përmasa shqetësuese por siç e dini në veçanti në raport me Rusinë dhe Kinën ata po e rrisin armatimin e tyre në 10 vitet e fundit. Kjo tregon që Serbia nuk është e interesuar për paqe e stabilitet në rajonin tonë, por tregon se akoma dëshiron të shkaktoj destabilitet i ndikuar edhe nga Rusia”, tha Osmani gjatë një vizite në Komunën e Mitrovicës.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka përmendur situatën e sigurisë në Mitrovicën Veriore.

Ajo gjatë vizitës në Mitrovicë, tha se në veri të vendit për fat të keq ka probleme të sundimit të ligjit të cilat sipas saj, janë krijuar nga banda ilegale të cilat financohen dhe mbështeten nga Serbia.

Osmani tha se problemi në veri nuk është tek qytetarët por te “badat ilegale”.

“Problemi ka qenë me njerëz që ilegalisht kanë kryer krime kanë frikësuar qytetarët, ju kanë mohuar të drejtën e lirë në votim dhe të gjitha këto janë të konfirmuara edhe në raporte ndërkombëtare”, tha Osmani.

Presidentja shtoi se janë duke punuar me institucione të sigurisë, në mënyrë që e drejta themelore për të jetuar të lirë dhe të sigurt tu garantohet të gjithë qytetarëve dallim e në veçanti sipas Osmanit atyre në veri.

“Atyre në veri ju sfidohet kjo e drejtë në baza ditore nga këto struktura ilegale të cilat për fat të keq edhe në kundërshtim me marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel Serbia po vazhdon t’i mbështetës”, tha Osmani.

Sa i përket vizitës në ShBA, Osmani tha se sapo t’i kenë detajet e agjendës do të njoftojnë lidhur me këtë vizitë, ndërkaq sipas saj janë duke punuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Presidentja këto ditë po zhvillon vizita nëpër komunat e Kosovës.