Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Osmani: Serbia mund të bëjnë filma për masakrën e Reçakut, por e vërteta është ndryshe

Presidentia e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas deklaratave të Aleksandër Vullinit, ministrit të Mbrojtjes së Serbisë lidhur me masakrën e Reçakut.

Presidentja Osmani ka deklaruar se është i pa arritshëm ndyrshimi i fakteve historike.

“Ish zëdhënësi i gruas së kriminelit Millosheviq, me propagandë po përpiqet t`i ndryshojë faktet historike. E pamundshme dhe e paarritshme”, ka thënë Presidentja Osmani në një deklaratë për media.

Po ashtu Osmani ka thënë se në Reçak ka ndodhur një krim që është i njohur botërisht.

“Në Reçak ka ndodhur krim kundër njerëzimit. Ky fakt është i njohur dhe i dokumentuar botërisht. Tendencat e Vullinit shpërfaqin ambicien e Serbisë për ndryshimin e historisë, kjo përpjekje e kamotshme e këtij shteti në relacion me Kosovën”, është shprehur Osmani.

Sipas presidentes së Kosovës, Vullin nuk po arrin të shkëputet nga mendësia e regjimit të Millosheviqit.

“Përpjekjet e tilla janë vazhdimësi e mendësisë së regjimit të Millosheviqit, nga e cila nuk po arrin të shkëputet Vullini si një besnik i tij. Mohimi i fakteve të luftës nëpërmjet rehabilitimit të kriminelëve të luftës është krim i përsëritur”, ka shtuar Presidentja.

Osmani ka thënë që Serbia mund të bëjë filma, por Reçaku është një realitet.

“E vërteta për Reçakun është me e fuqishme se çfarëdo propagande e Vullinit dhe bashkëmendimtarëve të tij. Ata mund të bëjnë filma, por në Reçak e anekënd Kosovës ka ndodhur një realitet që ka shpërfaqur qëllimin e shtetit serb për shfarosjen e popullit shqiptar në Kosovë. Pikërisht shkaku i Reçakut dhe masakrave të tjera, NATO ndërhyri ushtarakisht ndaj Serbisë dhe caqeve ushtarake të saj në Kosovë për ta ndalur mizorinë e një regjimi gjenocidal”, ka thënë për fund Presidetja Osmani.

Ish-diplomati amerikan, William Walker, ka reaguar dje duke thënë se përpjekja e zyrtarëve në Serbi për ta prezantuar masakrën e Reçakut si një ngjarje të trilluar, bëhet për shkak se disa zyrtarë aktualë në Beograd kanë qenë të përfshirë në krime kundër popullatës civile në Kosovë.Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, Walker thotë se masakra e Reçakut, në të cilën forcat serbe kanë vrarë 45 civilë shqiptarë në janar të vitit 1999, është një ngjarje që nuk mund ta mohojë e as modifikojë askush.

“Disa nga njerëzit që sot janë duke e propaganduar [masakrën e Reçakut] si ‘një gënjeshtër të madhe’, kanë qenë në fakt të përfshirë në fshehjen e saj që nga fillimi. Mendoj se presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, është shembull shumë i mirë. Ai ka qenë ministër i Informimit në kohën e Sllobodan Millosheviqit. Ai ka qenë pjesëmarrës në vendimmarrjen e asaj kohe”, thotë Walker.

Walker: Ata që e mohojnë masakrën, janë të përfshirë në të

Departamenti amerikan i Shtetit, në përgjigje të deklaratave të ministrit serb, Alleksandar Vullin, tha se “mizoritë që kanë ndodhur në Reçak në janar të vitit 1999, përfshirë masakrën e civilëve, janë të dokumentuara mirë”.

“Mohimi i këtyre fakteve themelore dhe madhërimi i krimeve të luftës sjellin dhimbje për të mbijetuarit, çnderojnë viktimat dhe mbajnë gjallë ndarjet që vazhdojnë të pengojnë pajtimin e qëndrueshëm, paqen dhe prosperitetin për Ballkanin Perëndimor”, thuhet në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit dhënë për Radion Evropa e Lirë.

SHBA: Mizoritë në Reçak janë të dokumentuara mirë

Ndërsa zëdhënësi i përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se Masakra e Reçakut nuk mund të mohohet, dhe as nuk duhet të modifikohet ajo që ndodhi në këtë fshat të Kosovës më 1999.

Këto komente ai i bëri pasi ministri i Brendshëm i Serbisë, Alleksandar Vullin e quajti “gënjeshtër të madhe dhe një falsifikim i tmerrshëm” vrasjen e civilëve shqiptarë në Reçak.

“Ajo që ndodhi në Reçak të Kosovës dhe mizoritë e kryera atje në janar të vitit 1999 janë të dokumentuara mirë”, tha Stano për Radion Evropa e Lirë.

BE: Nuk ka vend për ta mohuar apo nënvlerësuar Masakrën e Reçakut