Fotografia zyrtare e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Foto: Zyra e Presidentit

Osmani-Sadriu për BBC: Për dy tre ditë do të dihet numri i saktë se i afganëve që do vijnë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu në një intervistë për BBC ka folur për gatishmërinë e Kosovës për të strehuar refugjatët afganë përpara se ata të sistemohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Si një ish-refugjate, Osmani-Sadriu ka thënë se e po e bashkëndjenë, çdo ditë të kësaj tragjedie humanitare dhe se absolutisht askush nuk mund të largohet nga shtëpia me dëshirë, vetëm nëse aty ka dhunë të jashtëzakonshme apo terror.

Osmani-Sadriu ka thënë se ende nuk dihet saktësisht sa është numri i refugjatëve që Kosova mund të pranojë dhe se ky diskutim është në vazhdim. Por, ajo ka thënë se Kosova nuk do jetë shteti i cili do të thotë jo strehimit të këtyre refugjatëve në nevojë.

“Ne jemi në kontakt me partnerët tanë nga SHBA, të cilët janë duke e përpiluar listën dhe në të njëjtën kohë po e bëjnë verifikimin e sigurisë. Do të kemi takime në dy apo tre ditët në vazhdim dhe më pas do të dihet numri i saktë“, ka thënë Osmani-Sadriu.

E pyetur se kur pritet që refugjatët e parë të vijnë në Kosovë, Osmani-Sadriu është përgjigjur se pritet që ata të vijnë më shpejtë se që mendohej.

“Në fillim ne menduam se ky proces do të zgjasë disa javë, që ne të kishim kohë që të përgatitemi, por duket se për disa urgjenca është më e madhe, krahasuar me disa të tjerë”, ka thënë presidentja Osmani-Sadriu.

Ajo ka theksuar se është e rëndësishme që së pari si njerëz dhe më pas si liderë, të tregohet lidership në këso situata të vështira si dhe u ka bërë thirrje qeverive demokratike që të hapin dyert për refugjatët afganë.

“Duhet të kuptojmë se nëse nuk punojmë së bashku, nuk do të jemi në gjendje të kemi sukses. Rasti i Kosovës tregon këtë. Vetëm kur SHBA-ja, Britania dhe anëtarët e NATO-s punuan së bashku, arritën ta mposhtnin regjimin e Millosheviqit dhe të sillnin paqe, jo vetëm në Kosovë, por gjithë Ballkanin Perëndimor. Për këtë arsye u bëjë thirrje të gjitha qeverive demokratike ta shtrijnë dorën e ndihmës njëjtë siç kanë bërë për gjithë ne këtu në Kosovë”, tha Osmani-Sadriu.

Ajo ka thënë se rasti i Afganistanit tregon se sa e brishtë është paqja në botë dhe se NATO duhet të ndërmarrë masa në situata të tilla.

“Shpresoj që përsëri anëtarët e NATO-s dhe NATO si organizatë, do të dijë se si të përballet me një situatë kaq të brishtë”, u shpreh Osmani-Sadriu.

Presidentja Osmani si përfundim tha se përderisa njerëzit në Afganistan nuk vendosin vet për fatin e tyre, atëherë nuk do të dëgjohet lajm pozitiv nga ai rajon. Në anën tjetër ka thënë se Rusia askund në botë kurrë nuk ka për të ndikuar pozitivisht sa i përket paqes e sigurisë.