Osmani: Rritja e numrit të të infektuarve me COVID-19 kërkon vëmendjen urgjente të Qeverisë

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas shtimit të numrit të të infektuarve me COVID-19 në Kosovë.

Osmani ka thënë se Kosova nga një vend që e ka përballuar me sukses parandalimin e përhapjes së COVID-19 është ngjitur në vendin e 3-të për nga numri i rasteve të reja me COVID-19.

“Kosova duket se ka rrëshqitur në tabelë, nga njëri prej tregimeve të suksesit në mposhtjen e COVID-19, në vendin e 3-të për numrin e rasteve të reja”, ka shkruar Osmani në Twitter.

Osmani ka thënë se rritja e konsiderueshme, kërkon vëmendjen urgjente të Qeverisë dhe përkushtimin e të gjithëve në respektimin e udhëzimeve.

Që nga 13 marsi, kur është regjistruar rasti i parë me COVID-19 në Kosovë, e deri më sot, janë regjistruar 2,590 të infektuar, 1,394 të shëruar dhe 47 të vdekur.