Osmani: Qendra Rajonale e Ekselencës është kulminacion i punës së grave në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë lansimit të Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, deklaroi se puna e grave ndër vite, qëndresa dhe vizioni i tyre e kanë shndërruar gradualisht Kosovën në një pikë reference.

Ajo ka thënë se kjo qendër është kulminacion i punës së grave të Kosovës.

“Këtë qendër s’e shoh thjesht si një entitet shtesë, por si kulminacion të punës së grave të Kosovës ndër dekada, të cilat i kanë dëshmuar botës se nuk ka forcë që mund ta mposhtë shpirtin e tyre luftarakë dhe etjen për drejtësi, barazi dhe dinjitet. Është puna e grave dhe heroinave tona ndër vite, qëndresa dhe vizioni i tyre i pashoq, që ka shndërruar gradualisht Kosovën në një pikë reference për sa i përket fuqizimit të rolit të grave në paqe dhe siguri”- ka thënë Osmani, më 17.09.2024.

Ajo ka theksuar se Kosova ende përballet me sfida të mëdha, por sipas saj, “bashkë mund të arrihet suksesi”.

Sipas Osmanit, angazhimi për gratë, paqen e sigurinë është sa i natyrshëm po aq sa është obligim, për shkak se pa përfshirjen e drejtpërdrejt të grave dhe vajzave nuk mund të ketë asnjëherë paqe të qëndrueshme.

“Qendra e Ekselencës nuk do të jetë e Presidencës, por e juaja. Do të jetë mënyrë për të fuqizuar kapacitetet institucionale për edukim të vazhdueshëm. Ju ftoj që Qendrën ta fuqizojmë për ta shndërruar në pasqyrën me reale të arritjeve tona të përbashkëta”- u shpreh Osmani.

Ndërkaq ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, ka thënë se SHBA është e përkushtuar të mbështet ketë qendër dhe të tjera si kjo.

Sipas tij, themelimi i kësaj qendre shpreh përkushtimin për t’u siguruar që gratë janë në çdo proces të paqes e të sigurisë.

“Kjo qendër do të shërbejë si vendtakim për bashkëpunim, një vend ku shoqëria civile, qeveria, bota akademike dhe partnerët ndërkombëtarë mund të bëhen bashkë për të krijuar strategji e përparim të qëndrueshëm”- ka thënë ndër tjera, Hovenier.

Presidenca e Kosovës është përzgjedhur nga SHBA-të për themelimin e Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Kjo është arritur me rastin e Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë që është mbajtur në prill të 2024-tës me iniciativë të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ndërsa temë bosht e konferencës ka qenë çështja e dhunës seksuale gjatë luftës.

Osmani pritet të lansojë Qendrën Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë