Osmani: Protesta e 1 tetorit 1997 ishte paralajmërim i hershëm për lirinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në 25 vjetorin e protestës studentore të 1 tetorit 1997, ka thënë se kjo protestë ishte paralajmërim i hershëm për lirinë.

Osmani ka thënë se zëri protestues i studentëve ishte thirrje kundër diskriminimit të shqiptarëve nga regjimi gjenocidal serb jo vetëm në fushën e arsimit.

“Në krye me rektorin Ejup Statovci, studentët nisën rezistencën kundër padrejtësisë, refuzimin kundrejt dhunës dhe qëndresën kundër tiranisë. Protesta e 1 tetorit të vitit 1997 është simbolika më e fuqishme në luftën tonë për liri, referencë përmbajtësore për kauzën tonë kombëtare dhe ngjarja më e shndritshme në historinë tonë më të re”- ka thënë Osmani.

Protestën e 1 tetorit të vitit 1997 e ka kujtuar edhe kryeministri Albin Kurti.

Kurti ka thënë se më 1 tetor studentët shqiptar rikthyen dinjitetin dhe një lëvizje studentore përshpejtoi përpjekjen drejt çlirimit të vendit.

“Ne, marshuam paqësisht, për lirimin e hapësirave të ndaluara të kampusit universitar, drejt rrugës për arsim e edukim të lirë, të drejta të patjetërsueshme, liri e pavarësi.

I kujtojmë e nderojmë përherë profesorët e studentët e protestës së 1 tetorit, atyre që patën guxim, që sfiduan okupimin serb dhe e bënë rezistencën aktive”-ka thënë Kurti.

Sot janë bërë 25 vjet nga protesta e Lëvizjes Studentore të vitit 1997.