
Osmani priti në takim kryetarin e Bujanocit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë javës ka pritur në takim kryetarin e Komunës së Bujanocit, Arbër Pajazitin, së bashku me ekipin e tij.
Sipas njoftimit të Presidencës të publikuar më 12.01.2024, Osmani rikonfirmoi “përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për t’i mbështetur vazhdimisht shqiptarët që jetojnë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë në realizimin e të drejtave të tyre në përputhje me standardet më të larta për të drejta të njeriut”.
“Presidentja dhe Kryetari Pajaziti diskutuan edhe për lehtësimin e procedurave të shtetësisë për qytetarët nga këto komuna, duke theksuar rëndësinë e adresimit të sfidave me të cilat përballen ata” – ka njoftuar Presidenca.
Më tej thuhet se kryetari i Bujanocit falënderoi presidenten “për ngritjen e zërit për të drejtat e shqiptarëve në Luginë në të gjitha forumet ndërkombëtare, ndërkaq diskutuan edhe për një sërë iniciativash nëpërmjet të cilave mund të përkrahen shqiptarët në Presheve, Medvegjë e Bujanoc”.