Foto: Vjosa Osmani në Facebook

Osmani pret nënsekretarin e OKB-së: Kosova, shembull për promovimin e Agjendës për Gratë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani priti sot në takim nënsekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për operacionet e paqes, Jean-Pierre Lacroix.

Siç njoftoi Osmani, në takim u bisedua për avancimin e Agjendës për Gratë.

“Në takim u diskutua edhe për nevojën që të punohet ngushtë me institucionet e OKB-së në drejtim të mbështetjes së të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Presidentja Osmani potencoi se është e rëndësishme që të ketë angazhim të drejtpërdrejt me të mbijetuarit, gjë që është edhe në frymë të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Presidentja ka thënë se Kosova shërben si shembull për promovimin dhe avancimin e kësaj agjende” – thuhet në njoftim.

Presidentja Osmani theksoi se organizimi i vazhdueshëm i Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë është shembull i përkushtimit të Kosovës për avancimin e kësaj agjende, duke synuar krijimin e një mjedisi më të sigurt, më paqësor dhe më gjithëpërfshirës për gratë dhe vajzat, duke e fuqizuar rolin e tyre në çdo proces.

Në anën tjetër, nënsekretari i OKB-së, Lacroix theksoi se kjo agjendë është gjithashtu prioritet i lartë i Kombeve të Bashkuara.

Në mes tjerash, në takim u fol edhe për zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë, me ç’rast Presidentja Osmani ritheksoi se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive në këtë proces dhe e përkushtuar për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon, njoftoi Presidenca e Kosovës.