Osmani pret në takim ambasadorin e Gjermanisë, flasin për zhvillimet e fundit dhe dialogun me Serbinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë, Jörn Rohde.

Osmani dhe Rohde kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në vend dhe për dialogun me Serbinë.

Presidentja Osmani ka theksuar përkushtimin e vazhdueshëm të institucioneve të Kosovës për procesin e dialogut të përqendruar në njohjen e ndërsjellë, përkushtimin për paqe, siguri dhe sundimin e ligjit në gjithë territorin e Republikës.

Dje kryeministri i Kosovës Albin Kurti është takuar në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell. Takimi trepalësh në Bruksel ka përfunduar pa marrëveshje për çështjen e targave.

Mbrëmë pak pas mesnatës, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë për 48 orë fillimin e shqiptimit të gjobave për qytetarët që përdorin targa ilegale të automjeteve, si fazë e dytë e vendimit qeveritar për këtë çështje, kërkesë e cila u pranua nga kryeministri Kurti pak minuta më vonë.