Osmani: Presioni duhet të jetë mbi Serbinë që ajo t’i respektojë obligimet që i ka ndërmarrë

Gjatë vizitës në Klinikën e Gjinekologjisë sot, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pyetur rreth deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq i cili ka thënë se nuk do ta lejojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, pavarësisht dakordimit të palëve në Ohër.

Presidentja Osmani tha se ende pa u bërë 24 orë, Serbia nuk e respektoi marrëveshjen.

“Serbia ende pa u mbushur 24 orë nga dakordimi në Ohër, njëlloj siç ndodhi edhe në shkurt e përsëriti të njëjtin veprim edhe në mars. Pra, tregoi premtimet që i ka dhënë në kuadër të dialogut nuk kanë asnjë vlerë për të, as politike as juridike dhe rrjedhimisht njoftoi edhe komunitetin ndërkombëtar që ajo nuk do t’i zbatojë obligimet që qartë dalin nga marrëveshja bazë dhe nga aneksi” – tha presidentja Osmani.

Osmani theksoi se neni 4 i marrëveshjes bazë e obligon Serbinë që mos të kundërshtojë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

“Pavarësisht asaj që u dakordësua në Ohër tani në mars më lejoni të ritheksoj që teksti i marrëveshjes bazë mbetet si i tillë dhe nuk ndryshohet. Rrjedhimisht akoma neni 4 i asaj marrëveshje që e obligon Serbinë që mos të kundërshtojë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare pa dallim mbetet në fuqi” – përmendi presidentja.

Osmani shtoi se rrjedhimisht tani i gjithë presioni duhet të jetë mbi Serbinë që ajo t’i respektojë obligimet që ajo i ka ndërmarrë.

“Përderisa Vuçiqi refuzon t’i zbatojë këto për të cilat në fakt ka dhënë dakordësim në takim të mbyllur por publikisht thotë që nuk do t’i zbatojë atëherë kjo vërtetë rrezikon gjithçka. Shpresoj shumë që do të ketë penalizim të qartë nga komuniteti ndërkombëtar për Serbinë e cila çdo ditë e më shumë po e dëshmon që me Serbinë historikisht gjithnjë kemi pasur dy grupe negociatash, ose dy procese negociatash. Njëra ka qenë për t’i bindur që të nënshkruajnë, tjetra për t’i bindur që të zbatojnë” – u shpreh ajo.

Në takimin në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars, Kosova dhe Serbia u pajtuan për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes tyre.

Edhe pse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk nënshkruan asnjë dokument në Ohër, ndërmjetësuesit evropianë thanë se presin që palët të zbatojnë gjithçka për të cilat u pajtuan liderët.

Kosova dhe Serbia u pajtuan se nuk do të bllokojnë zbatimin e asnjë neni të marrëveshjes.

Marrëveshja, që njihet edhe si propozimi evropian, kërkon nga Beogradi që të mos e pengojë Kosovën të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.

Kosova, në anën tjetër, është pajtuar që të punojë në ofrimin e një niveli të përshtatshëm të vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë, bazuar në marrëveshjet paraprake të arritura në dialog.