Osmani: Prekazi, vendi i cili bëri bashkë një komb rreth kauzës për çlirim

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes , Vjosa Osmani, mëngjesin e sotëm ka vizituar Prekazin për të bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari”, së bashku me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Osmani pas homazheve ka thënë se Prekazi është vendi i cili bëri bashkë një komb të tërë rreth kauzës për çlirim.

“Jemi në Prekaz, në vendin që është shndërruar në simbol të sakrificës më sublime të komandantit legjendar Adem Jashari, bacës Shaban, Hamzës, grave, fëmijëve dhe gjithë familjes Jashari së bashku me bashkëluftëtarët e tjerë të komandantit legjendar, një sakrificë sublime e cila rezultojë me lirin e Kosovës, me shtetin e Kosovës”, ka thënë Osmani.

Ajo tutje ka shtuar se e kemi borxh kujtesën historike dhe ndjenjën e mirënjohjes, që ta bartim brez pas brezi.

Homazhe në Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz gjatë paradites së sotme do të ketë edhe nga krerë institucionesh, politikanë por edhe qytetarë, për të shënuar ditën e dytë të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.