Osmani: Pokleku është Holokausti i Kosovës

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani së bashku me kryeparlamentarin, Glauk konjufca kanë kujtuar sot me vizitën e tyre Masakrën e Poklekut dhe Çikatovës së Vjetër.

“Gjurmë të gjakut të 54 civilëve të vrarë në Masakrën e Poklekut, në mesin e të cilëve 24 fëmijë, ende janë të freskëta në bodrumin e shtëpisë në të cilën së pari u vranë, pastaj u dogjën dy herë radhazi. Në mesin e tyre, Lirie Muqolli gjashtë muajsh, jeta e së cilës u shua në fillim të saj nga forcat policore e ushtarake të regjimit gjenocidal serb. Emri i saj ishte Liri, porse lirinë nuk e arriti”, ka shkruar Osmani në postimin e saj bërë në facebook.

Osmani në postim ka shkruar se të mbijetuarit e kësaj masakre janë dëshmi e fuqishme se në fshatin Poklek ndodhi Holokausti i Kosovës më 17 prill 1999.

“Ajo dhe fëmijët e tjerë u vranë pse ishin shqiptarë, teksa bashkë me gra, djem e burra të tjerë prehen në një varrezë të përbashkët. Trupat e njomë të fëmijëve, bashkë me familjet e tyre, ishin bërë shkrumb e hi, për ta bërë të pamundur identifikimin e për ta fshehur krimin mizor. Ky krim kishte një qëllim të qartë: shfarosjen e zhdukjen e popullit tonë nga faqja e dheut. Prandaj, viktimat dhe të mbijetuarit e kësaj masakre janë dëshmi e fuqishme se në këtë fshat më 17 prill 1999 ndodhi Holokausti i Kosovës. Fëmijët e vrarë ishin të moshës gjashtë muajsh e deri në 17 vjeç. Bashkë me ta është vrarë edhe poeti i tyre, poeti i fëmijëve Ymer Elshani me gruan, katër djemtë, nënën dhe kunatën”, ka shkruar Osmani.

Sipas presidentes, dëshmitë dhe disa dëshmitarë të mbijetuar në Poklek si dhe në masakrën në Çikatovë të Vjetër ku u vranë edhe 24 civilë shqiptarë po më 17 prill, qartë tregojnë qëllimin shfarosës që kishte Serbia.

Presidentja ka shkrua se sot, zëri i Lirisë dhe i fëmijëve, grave e burrave të tjerë të vrarë në këto masakra trokasin në ndërgjegjen tonë si thirrje e fuqishme për drejtësi.

“Ne që po e gëzojmë lirinë na mbetet mision që ta bëjmë të  pamundurën që kryesit e këtij akti makabër të dalin para drejtësisë. Liria dhe paqja do të kenë kuptim kur familjarët e të masakruarve në Çikatovë të Vjetër e në Poklek ta gjejnë qetësinë kur drejtësia të marrë epilog. E ne nuk do të ndalojmë kurdo dhe kudo ta  themi dhe ta mbrojmë të vërtetën për këto masakra. Qoftë i përhershëm kujtimi për të rënët në masakrën e Poklekut dhe të Çikatovës së Vjetër”, thuhet në postimin e Osmanit të cilit i ka bashkëngjitur disa fotografi që flasin më së miri për ferrin që ngjau 22 vjet më parë në familjet e qytetarëve të Poklekut.