Osmani pjesë e konferencës për për Ditët e Energjisë së Gjelbër, flet për sfidat e Kosovës në sektorin e energjisë

Presidentja, Vjosa Osmani gjatë konferencës së organizuar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese në kuadër të aktiviteteve për Ditët e Energjisë së Gjelbër tha se agjenda e gjelbër është bërë tashmë pjesë e çdo diskutimi.

Osmani theksoi rëndësinë e diversifikimit të burimeve energjetike në Kosovë, duke thënë mungesa e saj në Kosovë është  paguar këtë dimër.

“Varshmëria nga linjiti ka qenë sinonim i sistemit energjetik në vendin tonë për një kohë tepër të gjatë. Edhe pse kjo na ka mbrojtur deri në një masë përballë zhvillimeve të fundit në tregjet energjetike, po kaq na ka dëshmuar se sa problematike është mungesa e diversifikimit të burimeve energjetike. Si rezultat i prishjes së termocentraleve tona tashmë jashtëzakonisht të vjetërsuara, vendi ynë u detyrua të orientohet drejt importeve. Së bashku me importet e energjisë elektrike u importuan edhe çmimet e larta të rrymës dhe jo vetëm. Ky ishte çmimi i lartë që Kosova pagoi këtë dimër si pasojë e mungesës së diversifikimit të burimeve energjetike”, tha ajo.

Përveç kësaj, presidentja tha se varshmëria nga qymyri ka ndikim edhe në shëndetin e qytetarëve.

“Fatkeqësisht, për shumë gjatë, sektori i energjisë është parë si një sektor i izoluar, duke refuzuar të kuptohet ndërlidhshmëria e ngushtë që ai ka me shëndetin e ekonomisë, me shëndetin e mjedisit dhe me shëndetin tonë. Faktet dhe statistikat flasin ndryshe. Tejkalimi alarmant i nivelit të grimcave, numri i lartë i sëmundjeve respirative, ambientet publike të ngulfatura nga pluhuri dhe kaosi urban janë rezultat i drejtpërdrejt I neglizhencës në drejtim të prioritizimit të mbrojtjes së mjedisit. Këto janë rezultat i politikave të gabuara e të vonuara për një kohë të gjatë në sektorin e energjisë dhe të mjedisit”, tha Presidentja.

Rëndësi të veçantë për Presidenten e vendit ka bashkëpunimi rajonal në përballje ndaj këtyre sfidave.

“Por, në këtë rrugëtim nuk ia dalim të vetëm. Prandaj dua të theksoj e të ritheksoj rolin jashtëzakonisht të rëndësishëm të bashkëpunimit rajonal në përballje me këto sfida. Është folur e është shkruar shumë në këtë drejtim. Por nëse nuk dëshmohemi me politika e me vepra proaktive, do të jetë tregu ai që do të na dërgoj mesazhe të qarta në këtë drejtim”, tha ajo.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.

Presidentja Osmani flet për sfidat e Kosovës në sektorin e energjisë dhe mjedisit