Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani Foto: Denis Sllovinja /KALLXO.com

Osmani: Përjetësisht mirënjohës për vizionarët, dëshmorët, martirët dhe aleatët e lirisë

E para e shtetit, Vjosa Osmani, përmes një videoje ka shprehur nderime e mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuar në çlirimin e Kosovës.

Në këtë video, Osmani ka përmbledhur disa nga momentet kyçe të historisë së Kosovës.

“Përjetësisht mirënjohës për të gjithë vizionarët, dëshmorët, martirët dhe aleatët e lirisë sonë” – ka thënë presidentja.

Videoja nis me ish-presidentin amerikan Bill Clinton duke e dhënë njoftimin se trupat paqeruajtëse të NATO-s kanë filluar fushatën ajrore kundër forcave okupuese serbe, dhe u përfundua me një fjalim të ish presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Në videon e publikuar shihet komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, bashkë me familjarë të tij, përfshirë këtu edhe një pjesë të fjalimit të vëllait të komandantit, Rifat Jashari.

25 vjet më parë, më 12 qershor 1999, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas një fushate ajrore 78-ditëshe kundër caqeve ushtarake e policore serbe. Me futjen e tyre në “tokën e djegur”, iu dha fund luftës së nisur në vitin 1998, mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese serbe.

Hyrja e trupave të NATO-s u bë pas Marrëveshjes së Kumanovës e cila u arrit më 09.06.1999, ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson. Me këtë marrëveshje, Serbia pranonte kapitullimin dhe detyrohej t’i tërhiqte të gjitha forcat policore dhe ushtarake nga Kosova.

25 vjet nga ajo ditë, misioni i NATO-s, KFOR-i, vazhdon të menaxhojë situatën e sigurisë, si në jug, ashtu edhe në veri të Kosovës.