Osmani: Përfaqësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare, fuqizon shtetësinë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, sot ka pritur në takim, Ann Linde në cilësinë e udhëheqëses së OSBE-së njëkohësisht edhe ministre e Punëve të Jashtme të Suedisë.

Përmes një postimi në llogarinë e saj në rrjetin social në Facebook, Osmani ka treguar që në takimin me Linde kanë diskutuar për rolin e rëndësishëm të OSBE-së në Kosovë që nga vitet e 90-ta e deri më sot.

“Kam potencuar rëndësinë e avansimit të përfaqësimit të Kosovës në këtë organizatë si dhe përpjekjet tona për fuqizim të shtetësisë sonë dhe të interesit të qytetarëve tanë nëpërmjet anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”, ka shkruar Osmani-Sadriu.

Presidentja ka treguar se duke pasur parasysh prioritetin e Suedisë që fuqizimi i grave në procese të paqes dhe sigurisë të jetë në fokus, “diskutuam edhe për rëndësinë e pjesëmarrjes dhe vendimmarrjes së grave në këto procese”.