Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Osmani për vrasjen e gruas në Graçanicë: Një grua më pak, një vrasës më shumë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka reaguar për vrasjen e gruas nga Graçanica, e cila vdiq në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës pas plagëve që dyshohet se iu shkaktuan nga bashkëshorti i saj.

Sipas Gjykatës së Prishtinës, i dyshuari pasi ishte kthyer nga një kafene në të cilën kishte konsumuar alkool, e kishte kapur tani të ndjerën për koke duke e përplasur në shkallët e betonit.

Gruaja nga Graçanica, M.Zh, fillimisht u sulmua fizikisht nga burri i saj D.Zh më 31.07.2024 dhe më pas përfundoi në QKUK, ku u trajtua për dy ditë.

Presidentja Osmani e ka nisur reagimin e saj për vrasjen e M.Zh duke u shprehur “një grua më pak, një vrasës më shumë!”.

“E tmerruar dhe e indinjuar nga vrasja brutale e gruas M.Zh. nga duart e bashkëshortit të saj në Gushtericë të Poshtme në komunën e Graçanicës. Mizori të tilla që po vazhdojnë të atakojnë shoqërinë tonë nuk duhet të tolerohen” – ka shkruar presidentja Osmani në Facebook, më 02.08.2024.

Vrasjen e M.Zh, Osmani e ka quajtur “akt mizor”, i cili sipas saj, nuk është një incident i izoluar, por një veprim shqetësues i dhunës ndaj grave që kërkon veprim të menjëhershëm dhe vendimtar.

“Institucionet e drejtësisë duhet të sigurohen që nëpërmjet zbatimit të saktë të ligjeve dhe udhëzuesve të denimeve t`i japin fund femicidit. Fatkeqësisht, shohim tepër shpesh raste kur dhunuesit lirohen me denime shumë më të ulëta sesa ato që parashihen me ligj” – ka thënë Osmani.

Si përfundim, presidentja Osmani i ka shprehur ngushëllime familjes së gruas që vdiq në QKUK dhe përkrahje të gjithë atyre që kanë humbur familjaret për shkak të femicidit.

“Të gjithë duhet të jemi një, derisa asnjë grua të mos ketë frikë për jetën e saj” – ka përfunduar Osmani.

Përveç presidentes Osmani, pas vdekjes së gruas nga Graçanica, ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Haxhiu tha se është tronditur thellësisht nga lajmi i një tragjedisë së ndodhur në Graçanicë.

“Në mëngjesin e sotëm kuptuam që e ndjera M. Zh. ka ndërruar jetë sot në Qendrën Spitalore Klinike në Prishtinë, pasi bashkëshorti i saj e kishte rrahur duke i shkaktuar lëndime të rënda” – tha ministrja.

Ajo tutje shprehu ngushëllimet e saj të sinqerta për vdekjen e 41-vjeçares nga Graçanica.

“Rastet e dhunës dhe vrasjet e grave janë realiteti i frikshëm dhe i papranueshëm dhe po angazhohemi në vazhdimësi që të ngrisim vetëdijen shoqërore me qëllim të parandalimit të rasteve të dhunës dhe femicidit dhe që dhunuesit dhe vrasësit e grave të marrin dënimet maksimale” – shtoi tutje e para e Drejtësisë.

Në anën tjetër, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dërguar në paraburgim për një muaj, të dyshuarin, D.Zh nën dyshimin se e privoi nga jeta gruan e tij.

Sipas njoftimit të Gjykatës, më 31.07.2024, rreth orës 21:15 në fshatin Gushtericë e Poshtme të Graçanicës, i dyshuari D.Zh me dashje e ka privuar nga jeta gruan e tij në shtëpi.

Gjatë ditës u raportua se gruaja nga Graçanica ka vdekur më 02.08.2024 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Viktima ishte duke u trajtuar tash e dytë ditë në QKUK, për lëndimet që dyshohet se i mori nga sulmi fizik që dyshohet se ia shkaktoi D.Zh.

“I pandehuri D.ZH, pasi kishte përfunduar punën ishte ndaluar në një kafene në fshatin Prelluzhë duke konsumuar alkool, me t’u kthyer në shtëpi, e kishte kapur tani të ndjerën për koke duke e përplasur në shkallët e betonit dhe duke i shkaktuar lëndime trupore si dhe humbje të vetëdijes, e njëjta dërgohet në QKUK dhe hospitalizohet deri me datë 02.08.2024, ku rreth orës 03:40 të mengjesit, ndërron jetë” – thuhet në njoftimin e Gjykatës së Prishtinës, më 02.08.2024.

Si rrjedhojë, Gjykata vlerëson se caktimi i masës së paraburgimit e arsyeton faktin, se nëse i pandehuri D.ZH gjendet në liri, ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezikun se do të pengoj rrjedhën e procedurës penale, i njëjti mund të arratiset dhe mund të largohet nga vendi.

“Për këtë vepër penale për të cilën dyshohet i pandehuri, dënimi i paraparë përfshinë dënim me burgim afat gjatë, po ashtu ekziston rreziku i asgjësimit apo ndryshimit të provave si dhe ndikimi në dëshmitarë, andaj masa e paraburgimit është e vetmja masë për rrjedhën e pa penguar të procedurës në këtë çështje penale” – kanë theksuar nga Gjykata.

Rasti në fillim ishte iniciuar si “Dhunë në familje” e “Lëndim i rëndë truporë”, mirëpo pas vdekjes së viktimës kjo ngjarje është ri-kualifikuar si “Vrasje e rëndë”.

Kjo është konfirmuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë përmes një njoftimi për media.

Prokuroria tha se më 31.07.2024 ishin njoftuar nga Policia për një rast të dhunës në familje në Graçanicë.

Për këtë rast Prokuroria kishte lëshuar aktvendim mbi ndalim për të dyshuarin, në kohëzgjatje prej 48 orësh.

“Në kohën kur i njëjti ka qenë nën këtë masë, e ndjera (viktima) ka ndërruar jetë, andaj rasti është deleguar për trajtim në Departamentin për Krime të Rënda të kësaj Prokurorie, si dhe është ri-kualifikuar Vrasje e rëndë” – tha Prokuroria.

Po ashtu është njoftuar se Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhëresë për autopsi për të ndjerën, gjithashtu ka paraqitur kërkesë për caktim të masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, në gjykatën kompetente.

Në koordinim të plotë me Policinë dhe njësitë relevante janë duke u ndërmarrë veprime hetimore karshi këtij rasti.

Lajmi për KALLXO.com për vdekjen e viktimës ishte konfirmuar nga drejtori i Emergjencës, Naser Syla, i cili ka thënë se viktima nuk ka mundur t’u bëjë ballë lëndimeve të rënda.

“Fatkeqësisht, ajo ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm. Ajo kishte një hemorragji në tru nga lëndimet e rënda, dhe ne nuk mundëm ta operonim në atë gjendje. Ajo ishte në makineri 24 orë në ditë” – tha Syla, më 02.08.2024.

Policia e Kosovës kishte njoftuar më 31.07.2024 se kishin arrestuar një të dyshuar në Graçanicë nën dyshimin se kishte kryer dhunë në familje.

Policia kishte thënë se burri në gjendje të dehur, kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.