Osmani për sulmin në Norvegji: Mendimet dhe lutjet tona janë me viktimat

Dy njerëz janë qëlluar për vdekje dhe 21 të tjerë janë plagosur në disa të shtëna që janë duke u hetuar si akt terrorit në një klub nate dhe në një rrugë të afërt në qendër të kryeqytetit norvegjez, Oslo, ka thënë policia.

Lidhur me këtë rast, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar në Twitter.

Ajo ka thënë se ky është një sulm i tmerrshëm ndaj lirisë, pavarësisë dhe të drejtave të njeriut.

“Mendimet dhe lutjet tona janë me viktimat, të dashurit e tyre dhe të gjithë ata që janë prekur nga të shtënat vdekjeprurëse në Oslo. Ky është një sulm i tmerrshëm ndaj lirisë, pavarësisë dhe të drejtave të njeriut”, ka thënë Osmani.

Tutje ajo ka shtuar se Kosova qëndron me popullin e Norvegjisë.

Gjatë ditës është raportuar se sulmuesi ka nisur të shtënat me armë zjarri në orët e mesnatës në tri lokacione të ndryshme, përfshirë një bar të homoseksualëve.

I dyshuari është arrestuar dhe dy armët i janë konfiskuar.

Përveç barit të homoseksualëve, të shtënat janë dëgjuar edhe në një klub të muzikës jazz dhe në afërsi të tij.

Parada vjetore e Krenarisë, ishte planifikuar të mbahej të shtunën në Oslo, mirëpo organizimi është anuluar, sipas udhëzimeve të policisë.

Kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Stoere, e ka quajtur sulmin “të tmerrshëm dhe shokues ndaj personave të pafajshëm”.

I dyshuari është person i njohur për shërbimet e sigurisë në Norvegji.

Sulmi në Norvegji po trajtohet si akt terrorist