Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani Foto: Denis Sllovinja /KALLXO.com

Osmani për artikullin e RTK-së: 'Refuzoj çdo lloj gjuhe dhe akuze e cila në emër të lirisë së shprehjes e vendos në rrezik jetën e tjetrit’

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pyetur nga gazetarët në lidhje me artikullin e Radio Televizionit të Kosovës i cili u publikua javën e kaluar.

Radio Televizioni i Kosovës (RTK) më 22.07.2024 shpërndau një artikull të medias boshnjake ‘Slobodna Bosna’, i cili citohej si hulumtim për ndikimin e presidentit serb në mediat në rajon duke përfshirë edhe Kosovën. Në shkrimin e ‘Slobodna Bosna’ të publikuar e përkthyer nga RTK, thuhet se janë dy media në Kosovë të kontrolluara apo financuara nga Aleksandar Vuçiq.

Osmani tha se ‘refuzoj çdo lloj gjuhe dhe akuze e cila në emër të lirisë së shprehjes e vendos në rrezik jetën e tjetrit’.

“Të ju them sinqerisht me nis me reagu saherë RTK publikon lajme… RTK ta zëmë më patën shpall në heshtje zgjedhore si bashkëpunëtore të Putinit. Nuk e di që ka pas reagim nga të tjerët… Nuk e di a ka më të rëndë se kreun e shtetit me e shpall spiun, kjo duke rreziku jetën e kreut të shtetit e të fëmijëve të saj”- deklaroi Osmani.

Presidentja Osmani u deklaru për media pas takimit me krerët e partive politike për të caktuar datën e zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë. Në këtë takim nuk mori pjesë, kreu i LVV-së, Albin Kurti.

Në shkrimin e ‘Slobodna Bosna’ të publikuar e përkthyer nga RTK më 22.07.2024, thuhet se janë dy media në Kosovë të kontrolluara apo financuara nga Vuçiq.

Kjo nxiti reagime të shumta në vend duke marrë shkas edhe postimin e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, në rrjetin social facebook.

Në postimin e Zybës, i cili ka shpërndarë lajmin e RTK-së, përmenden emrat e dy mediave në Kosovë që sipas ‘Slobodna Bosna’ kanë lidhje me Vuçiqin.

Por në linkun aktual të lajmit të RTK-së, nuk shihen emrat e dy mediave. RTK ka mohuar të ketë edituar tekstin.Lidhur me mediumin boshnjak “Slobodna Bosna”, KALLXO.com ka pyetur Darko Brkan nga “Raskrinkavanje.ba” – një platformë për kontrollin e saktësisë së informacionit dhe dezinformatave në hapësirën publike të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Brkan ka thënë për KALLXO.com se “Slobodna Bosna” ka një histori të gjatë dhe se ka qenë një nga revistat politike më me ndikim në Bosnjë e Hercegovinë.