Foto: Facebook/Vjosa Osmani

Osmani: Për 22 vite kanë vendosur 3 burra për të gjithë partinë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se sfidat politike të grave në Ballkanin Perëndimorë janë shumë më të mëdha sesa të atyre në vendet e zhvilluara.

Osmani në një diskutim të organizuar nga Rrjeti për Politikë të Jashtme (DGAP), ka folur përvojën e saj me partitë politike, duke thënë se kanë qenë 3 burra që kanë marrë vendimin për të gjithë në parti.

“Jo vetëm t`i kemi gratë në tavolinë, e pastaj ti kem 3 burra që thonë, na duhen 5 minuta jashtë, dhe të kthehen pas 5 minutash të na thonë neve çfarë kanë vendosur ata burra, për të gjithë ne. E kam parë këtë të ndodhë për 22 vite të karrierës sime politike”, tha Osmani.

Sipas Osmanit, partitë nuk duhet vetëm t`i japin ulëse grave dhe pastaj të mos lejojnë që të dëgjohet kurrë zëri i tyre.

“Partitë politike, nuk duhet vetëm t`i japin grave një ulëse, por duhet të sigurohen që zëri i tyre dëgjohet, sepse nuk është vetëm për t`i pasur në parti, është tek përfshirja në vendimmarrje në pikat më të larta të agjendave”, theksoi ajo.

Osmani ka përmendur rastin e saj si gruaja më e votuar në Kosovë, duke thënë se qytetarët janë emancipuar më shumë se partitë, duke i vlerësuar kauzat e saj.

“Shoqëria është emancipuar më shpejt sesa partitë politike, edhe nëse partitë politike janë përpjekur që t`i ndalin gratë për të shtyrë përpara agjenda të rëndësishme politike për vendin, populli i Kosovës nuk u pajtua me disa nga këto parti, duke i dhënë kështu këtyre grave numrin më të madhe të votave në histori të Kosovës, përkrahjen më të madhe në histori”, theksoi ajo.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ishte përjashtuar nga ish-partia e saj, LDK, ani pse në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 ajo si kandidate për kryeministre kishte qenë njeriu më i votuar në Kosovë, pas Albin Kurtit.

Osmani i kishte prishur ‘raportet’ me ish-kryetarin e partisë, Isa Mustafa si dhe ish-nënkryetarin Agim Veliu.

Pas përjashtimit nga LDK, Osmani kishte themeluar listën ‘Guxo’ më të cilën së bashku më LVV-në kishin fituar zgjedhjet.

Vjosa Osmani është zgjedhur presidente më 4 prill të këtij viti.