Osmani: Partneriteti me SHBA-në ka qenë dhe vazhdon të mbetet ekzistencial

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e ka filluar fjalimin në Departamentin e Shtetit me një falënderim në emër të popullit të Kosovës për kontributin e vazhdueshëm të SHBA-së për Kosovën.

Ajo ka thënë se ndihma amerikane ka qenë ekzistenciale për të arritur lirinë.

“Partneriteti me SHBA-në nuk është vetëm i domosdoshëm, ka qenë ekzistencial për ta arritur lirinë tonë dhe vazhdon të jetë ekzistencial dhe mbetet i tillë edhe sot e kësaj dite”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë së siguron që Kosova është me popullin e Ukrainës kundër agresionit rus.

“Dëshiroj të ju siguroj që populli i Kosovës qëndrojnë me Ukrainën siç e kemi treguar duke miratuar sanksione dhe kemi bërë thirrje shteteve në rajon që ta bëjnë të njëjtën. Është bërë përpjekje që të destabilizohet Ballkani perëndimor  nga Rusia, ne vazhdojmë të mbesim aleat me SHBA-në dhe BE-në për të siguruar që këto gjera të ndalohen në rajon”, ka thënë ajo.

Osmani tutje ka falënderuar SHBA-në për mbështetjen në fushën e mbrojtjes.

Takimi i Blinden me Osmanin dhe Kurtin ka filluar disa minuta më parë.

Ky është takimi i parë i përbashkët i këtij formati në Departamentin e Shtetit, në Uashington D.C.

Ndërsa nesër krerët e shtetit do të marrin pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Programit Kompakt me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit -MMC.

Sipas agjendës takimi pritet të përfundojë brenda një ore dhe pas takimit do të ketë një prononcim për media.