Vjosa Osmani - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Osmani: Parlamenti i Serbisë emëroi nënkryetar komandantin që masakroi mijëra kosovarë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas zgjedhjes së nënkryetarit të Parlamentit të Serbisë, Bozhidar Deliq.

Osmani e ka krahasuar atë me nënkryetaren e Parlamentit të Kosovës, e cila është e mbijetuar e masakrës së familjes Bogujevci në Podujevë.

Osmani ka thënë se Bogujevci është një e mbijetuar e regjimit gjenocidal të Serbisë, ndërkaq Deliq ka qenë komandant i brigadës i cili siç ka shkruar presidentja, masakroi mijëra kosovarë.

“Në Kosovë, Saranda Bogujevci, një e mbijetuar e një masakre brutale të regjimit gjenocidal të Serbisë, shërben si nënkryetare e Parlamentit. Ndërkohë, Parlamenti i Serbisë ka emëruar nënkryetar Bozhidar Deliçin, komandantin e brigadës që masakroi mijëra kosovarë”, ka shkruar Osmani në Twitter.

Bozidar Deliq, një gjeneral në pension i Ushtrisë Jugosllave i cili ishte komandant i Brigadës 549 të Motorizuar, e cila ishte përfshirë në disa nga sulmet më famëkeqe në fshatrat në Kosovë në vitin 1999, u zgjodh si një nga shtatë nënkryetarët e parlamentit serb të martën vonë.

OJQ-ja Fondi për të Drejtën Humanitare publikoi një dosje në vitin 2013 që përmban dokumentacionin më të plotë deri më tani të tetë ofensivave ushtarake që përfshinin Brigadën 549 të Ushtrisë Jugosllave në fshatrat e Kosovës në mars dhe prill 1999, të cilat rezultuan në gjithsej 885 të vdekur.

Në një sulm në fshatrat Mejë dhe Korenicë më 27 prill 1999, trupat, policia dhe paraushtarakët, përfshirë ushtarë të Brigadës 549, vranë të paktën 377 civilë, 36 prej të cilëve ishin nën 18 vjeç.

Zyra e prokurorit serb për krimet e luftës i tha BIRN në vitin 2013 se Deliç ka qenë nën hetim më shumë se një herë. Ai nuk u padit kurrë.

Ai nuk e ka mohuar kurrë se ka qenë komandant i Brigadës 549, por ka mohuar të ketë kryer krime lufte.