Osmani padinë dhe kërcënimet ndaj përfaqësueses së OJQ-së 'Pishtarët' e quan kanosje të lirisë së shprehjes

Kryetarja  e Kuvendit, Vjosa Osmani ka thënë kërcënimet dhe paditë që po i bëhen përfaqëueses së OJQ “Pishtarët” dhe aktivistëve mjedisorë nga kompania investuese në komunën e Deçanit, ‘Kelkos Energy’, është kanosje e drejtpërdrejtë ndaj lirisë se shprehjes.

Osmani gjatë një takimi virtual me Shpresa Loshaj nga OJQ “Pishtarët”, tha se se liria e shprehjes nuk guxon të kërcënohet nga askush dhe se ngritja e një padie strategjike kundër pjesëmarrjes së publikut (SLAPP) ndaj njërit prej aktivistëve, me qëllimin që të heshtë dhe frikësojë kritikët, duke i ngarkuar ata me kosto të lartë të mbrojtjes ligjore në mënyrë që të braktisin kundërshtimin e tyre, është kanosje e drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shprehjes.

“Do të angazhohem personalisht të ngris vetëdijen rreth rëndësisë së mbrojtjes së mjedisit dhe lirisë së shprehjes. Gjersa, përmes një komisioni hetimor parlamentar, do të angazhohemi që të trajtojmë përmbajtësisht dhe të sqarojmë përfundimisht aspektin ligjor të këtyre hidrocentraleve. Shpresojmë që edhe Qeveria do të ndjekë të njëjtin shembull”, tha Osmani.

Ndërsa, për mbrojtjen e mjedisit Osmani tha se është e drejtë kushtetuese e qytetarëve të Kosovës duke u fokusuar në çështjen e degradimit të mjedisit në Kosovë si rezultat i ndërtimit të hidrocentraleve me kapacitet të vogël gjenerues, në veçanti rasti i tri hidrocentraleve të ndërtuara në Komunën e Deçanit.

“Degradimi i mjedisit në emër të promovimit të investimeve në burime të ripërtëritshme të energjisë është i papranueshëm. Ekzistojnë mënyra të duhura se si këto investime mund të realizohen me sukses, e kjo bëhet gjithmonë në konsultim të ngushtë me qytetarët e Kosovës”, tha Osmani.

Sipas Osmanit, përveç tek kompanitë investuese, përgjegjësia bie tek institucionet vendore, dhe të dyja palët duhet të sigurohen që investimet të bëhen konform ligjeve, e jo konform interesave të një grupi të vogël të interesit.

Shpresa Loshaj i ishte  drejtuar me një letër Ministrisë Federale Austriake për çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare, dhe Ambasadës austriake në Kosovë lidhur me pretendimet e saj kundër kompanisë austriake Kelkos Energy për ndërtimin dhe operimin e disa hidrocentraleve në Luginën e Deçanit.

Në mbështetje të dhjetra organizatave të shoqërisë civile, Loshaj përmes kësaj letre ka paraqitur investimet e Kelkos, të cilat sipas saj, dëmtojnë mjedisin e Kosovës dhe ka mungesë të sundimit të ligjit.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.