Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca – Pritja shtetërore për 25-vjetorin e çlirimit/ 12.06.2024 Foto: ZKM

Osmani nuk e quan ‘bojkot’ mungesën e Kurtit në takimin për caktimin e datës së zgjedhjeve

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani është pyetur për mungesën e kryeministrit Albin Kurti në takimin që ka zhvilluar me liderë të partive politike për përcaktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme, më 31.07.2024.

Presidentja Osmani nuk e ka quajtur “bojkot” mospjesëmarrjen e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje në këtë rast, megjithëse tha se i kanë ftuar të gjitha partitë në nivel të kryetarëve.

“Siç e dini të gjitha partitë kanë qenë të ftuara në nivel të kryetarëve të partive dhe nënkryetarin duhet ta përmend, që nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, zotëri Glauk Konjufca, njëkohësisht edhe kryetar i Kuvendit ka shprehur gatishmëri të plotë që të vijë sot në takim, mirëpo meqenëse të gjitha partitë kanë qenë të informuara që ky takim konsultativ është vetëm për nivel të kryetarëve, këtë parim e kemi mbajtur për të gjithë dhe ai me mirëkuptim e ka zbatuar. Sot nuk ka qenë prezent kryetari i LVV-së, ne nuk i dimë arsyet besoj mund ta pyesni atë drejtpërdrejt, po supozoj që është në zyrë” – ka thënë presidentja Osmani, më 31.07.2024.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu tha se kryeministri Kurti ka sugjeruar që Lëvizja Vetëvendosje të përfaqësohet nga nënkryetari i parë i saj, Glauk Konjufca në takimin e presidentes Osmani për përcaktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme.

“Gjë që konsiderojmë që do të duhej të ishte e pranueshme. Kryeministri Kurti është i gatshëm të marrë pjesë në çdo takim të ardhshëm në një ditë dhe orë të përshtatshme”- tha Kryeziu për KALLXO.com.

Sipas presidentes Osmani, në takimin me kryetarët e partive politike mungoi edhe Lista serbe për të cilën tha se nuk kanë pranuar përgjigje në ftesën që u kanë bërë dhe partia e Elbert Krasniqit, i cili është edhe ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal e për të cilën Osmani tha se e kishte konfirmuar paraprakisht se do të merrte pjesë në takim.

Presidentja Osmani ka folur edhe për dy parti tjera të cilat kishin kërkuar që t’i dërgojnë nënkryetarët e tyre.

“Dy partitë të tjera, meqenëse janë jashtë vendit KDTP dhe AKR kanë kërkuar t’i dërgojnë nëkryetarët, i kemi njoftuar që është vetëm nivel kryetarësh dhe kanë dërguar qëndrimin e tyre me shkrim, pra i kemi preferencat e tyre edhe me shkrim dhe i kam lexuar ato para kryetarëve që ishin aty” – tha Osmani.

Në takim më Osmanin janë parë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi dhe i LDK-së, Lumir Abdixhiku.