Osmani: Nuk e kam ftuar në takim Martin Berishajn kur kam qenë në vizitën e fundit në Kroaci
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për “Kallxo Përnime”, ka folur për rastin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili më 2022 u përfol në mediat sllovene nën dyshimin se ka transferuar rreth 600 mijë euro te një kompani private në Mal të Zi.
Osmani deklaroi se nuk e ka ftuar ambasadorin Berishaj gjatë vizitës së fundit që ka zhvilluar në Kroaci.
“Nuk kam pasur komunikim me të, nuk e kam takuar. Nuk ka qenë me mua në vizitën e fundit (në Kroaci). Sepse kështu kam vendosur. Nuk ka pasur nevojë sepse e kam pasur stafin tim, dhe mendoj që ka shumë gjëra që duhet të sqarohen për të mirën e të gjithëve dhe për të mirën e imazhit të politikës së jashtme të Kosovës”- u shpreh Osmani.
Ajo tha se në raste të tilla, sipas saj, më e mira është që ai të largohej vetë nga pozita.
Madje Osmani tha se ketë gjë e ka kërkuar edhe në takimet e përbashkëta me Ministrinë e Punë të Jashtme.
“Unë dëshiroj që institucionet e drejtësisë të japin fjalën e vet dhe më e mira në raste të tilla dhe më e mira do ishte që derisa të kryheshin procedura të tilla ai të largohej nga ajo pozitë. Nuk mundet presidentja me shkarku dikë krye më vete sepse është procedurë. Unë në disa raste kam kërku që në qoftë se kjo çështje nuk sqarohet do të ishte më mirë që ai me u tërheqë vet. Në takime të përbashkët që i kemi bërë, kryesisht Ministrisë së Jashtme”- u shpreh ajo.
Presidentja ka thënë se kur ka ndodhur rasti ka kërku nga MPJD raporte lidhur me pastërtinë e akuzave që i janë bërë.
“Në momentin e parë kam kërku nga Ministria e Punëve të Jashtme ta thërrasë në raportim dhe të kërkoj dëshmi me shkrim lidhur me pastërtinë ndaj akuzave që janë bërë. Mua më është përcjellë nga MPJD që i ka dërgu dëshmitë jo vetëm ambasadori por edhe Sllovenia dhe Kroacia kanë dërgu dëshmi atje. Po ju tregoj çka më është thënë”- ka shtuar tutje Osmani.
Më 29.03.2024, ambasadori Martin Berishaj ka përfunduar intervistimin e tij në Prokurorinë Speciale pas disa orë qëndrim brenda.
Berishaj po dyshohet për 3 vepra të ndryshme penale.
“Pas interesimit të mediave, Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se ambasadori, i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është intervistuar sot me ftesë të Prokurorisë Speciale, me dyshimet për veprat penale “Shpëlarja e parave”, “Shmangia nga tatimi” dhe “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Berishaj bëri jehonë në vitin 2022, kur u përfol në mediat sllovene nën dyshimin se ka transferuar rreth 600 mijë euro te një kompani private në Mal të Zi.
Sipas mediumit slloven, “Planet TV”, kompania private është në pronësi të tij. Pavarësisht thirrjeve për shkarkim të tij, një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe vetë Berisha ka mohuar akuzat për përfshirje në skandalin financiar.
Vitet e kaluara shkarkimi i Berishajt u kërkua edhe me protesta para Qeverisë së Kosovës, mirëpo nga drejtuesit e MPJD-së nuk pati lëkundje besimi në të, përkundrazi lajmi për “skandalin” u tha se nuk është i vërtetë.
(Shënim: Artikulli është edituar në titull në pjesën ku flet për takim të ambasadorit Berishaj gjatë vizitës së fundit në Kroaci.)