Osmani: Ngritja e statusit të Kosovës në Frankofoni, triumf për vlerat frankofone

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot, më 12.08.2024, përfaqësuesin e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë (ONF) për Evropën Qendrore dhe Lindore, Eric Pope, i cili po viziton Kosovën pas aplikimit të vendit në këtë organizatë.

E para e shtetit tha se Kosova është shembull i mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave dhe lirive themelore të të gjithë qytetarëve pa dallim, forcimit të demokracisë dhe sundimit të ligjit.

“Rinia është potenciali më i madh i Kosovës dhe me talentin e dëshmuar në ndërmarrësi dhe inovacion, është shembull për rajon e më gjerë” – thuhet në njoftimin e Presidencës.

Gjatë takimit, siç thuhet në njoftim, u fol për edhe për aplikimin e Kosovës në këtë organizatë.

“Në këtë frymë, Presidentja Osmani ka theksuar se përmes ngritjes së statusit të Kosovës në ONF, do të thellohet bashkëpunimi me shtete tjera anëtare në zhvillim të qëndrueshëm, promovimin e diversitetit kulturor e gjuhësor, arsim e hulumtime shkencore, si dhe në fusha tjera të interesit të ndërsjellë” – thuhet në komunikatë.

Presidentja Osmani dhe Pope diskutuan edhe për samitin e Frankofonisë në tetor, ku presidentja e vendit do ta përfaqësojë Kosovën.