Osmani: Ngjarjet e marsit përbëjnë një nga shtyllat më të forta mbi të cilat u ngrit Kosova

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se ngjarjet e 5, 6 dhe 7 marsit 1998 përbëjnë një nga shtyllat më të forta mbi të cilat u ngrit shteti i ri, Kosova.

Ajo ka thënë se beteja e Jasharajve u shndërrua në frymëzim për mijëra të rijnë e të reja që i dolën zot tokës së tyre.

Osmani ka thënë se kjo Epope e UÇK-së është e epope e dinjitetit, krenarisë dhe lirisë së vendit.

“Ngjarjet e 5, 6, dhe 7 marsit 1998 përbëjnë jo vetëm kujtesën tonë për historinë tonë më të re por edhe një nga shtyllat e forta mbi të cilat u ngrit shteti ynë i ri. Kjo Epope e UÇK-së është Epope e dinjitetit e krenarisë dhe e lirisë sonë. Në këto ditë të lavdisë në njërën anë ishte baca Shaban, Hamza, komandanti legjendar Adem Jashari, familjarët dhe bashkëluftëtarët e UÇK-së, teksa nga ana tjetër ishin forcat gjenocidale serbe që u binden që liria është më e çmueshme se çfarëdo fuqie ushtarake”- ka thënë ajo.

Osmani sot ka kujtuar gratë dhe fëmijët e familjes Jashari të cilët nuk u kursyen nga shërbimi gjenocidal i Serbisë.

“Në këtë datë kujtojmë të gjitha gratë dhe fëmijët e familjes Jashari që nuk i kurseu shërbimi gjenocidal i Serbisë. Në ditë si këto duhet të kujdesemi që fëmijëve tanë e brezave që do i lëmë pas t`u flasim për fëmijët e Jasharajve dhe të gjithë fëmijëve që ranë në altarin e lirisë”- ka thënë ajo.

Osmani ka shtuar se është e rëndësishme që të mbahet gjallë kujtesa për sakrificën e familjes Jashari dhe të UÇK-së.

“Lirinë e fitojnë ata popuj e ato vende që besojnë vërtetë në të. Këtë më së miri e kishte kuptuar edhe komandanti Adem Jashari. Ai përgatitjet për luftën me Serbinë i kishte nisur qysh në vitin 1991. Ai ishte i vendosur, rrethimin nuk mund ta duronte”- ka thënë ajo.

Kuvendi i Kosovës po mban sot seancë solemne për shënimin e 25 – vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 5 mars në Kosovë ka filluar Epopeja  e UÇK-së, që këtë vit shënon 25 vjetorin e rënies së familjes heroike Jashari në Prekaz.

Më 5, 6 dhe7  mars u bën 25 vjet nga rënia e komandantit legjendar Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë.

Seanca solemne për ‘Epopenë e UÇK’-së fillon me intonimin e himnit shtetëror dhe kombëtar