Foto: Bashkimi Evropian

Osmani nga samiti në Slloveni: Asnjë shtet në BE nuk është kundër liberalizmit të vizave për Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas përfundimit të samitit Bërdo-Brioni ka thënë se aktualisht nuk ka shtet në Bashkimin Evropian që kundërshton liberalizimin e vizave për Kosovën.

Osmani ka thënë se shpreson që gjatë muajit tetor të ketë takim mes grupeve punuese për vizat që të shtyhet kjo çështje përpara.

“Nuk ka vend në BE aktualisht që na thotë se janë kundër liberalizmit të vizave dhe besoj që e kemi momentumin më të mirë në këto katër vitet e fundit. Shpresojmë që gjatë tetorit do të ketë takim të grupit punues për viza për ta shtyrë çështjen përpara dhe pastaj në samitin e ardhshëm BE-Ballkan Perëndimor të ketë diçka më shumë. Me rëndësi është që gjatë presidencës çeke të merret ky vendim, gjatë këtij viti pra” – është shprehur Osmani.

Osmani ka theksuar se njëra nga gjashtë pikat e miratuara në samitin në Slloveni është edhe çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Po ashtu, ajo ka thënë se Kosova është plotësisht në përputhje me aspiratat e Bashkimit Evropian. Presidentja Osmani ka folur edhe për aplikimin e Kosovës për statusin e vendit kandidat për BE.

“Në fund të këtij viti do të aplikojmë për status kandidati dhe shpresojmë që të gjithë anëtarët ta miratojnë këtë sepse Kosova ka vërtetuar që është në përputhje të plotë me politikat e jashtme të BE-së”- shtoi ajo.

Osmani teksa ka folur për dialogun Kosovë-Serbi ka thënë se përpos njohjes së ndërsjellë çdo gjysmë zgjidhje tjetër nuk do të sjellë paqe afatgjate.

“Shpresojmë që nëse Serbia angazhohet në mënyrë konstruktive sa më shpejtë që është e mundur të arrijmë një marrëveshje përfundimtare. Por, çfarë do gjysmë zgjidhje nuk do të sjellë paqen afatgjatë. Njohja e ndërsjellë është e vetmja gjë që sjell paqen aq të dëshiruar në rajon dhe përtej” – ka thënë Osmani.

Në Slloveni është mbajtur sot samiti i Bërdo-Brioni ku kanë marrë pjesë presidentët e shteteve të Ballkanit Perendimor.

Pas përfundimit të këtij samiti, presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor ka prezantuar gjashtë konkluzionet e miratuara nga liderët pjesëmarrës në ketë takim.

Njëra nga këto gjashtë konkluzione është thirrje për heqjen e regjimit të vizave për të gjithë Ballkanin Perëndimor deri në fund të vitit 2022.

Më këto pika janë pajtuar të gjitha vendet pjesëmarrëse të Ballkanit Perëndimor që përfaqësohen nga presidentët.

Përfundon samiti Bërdo-Brioni, njëri nga 6 konkluzionet e miratuara është thirrja për heqjen e vizave Kosovës