Osmani nga Parisi: Nuk mund të miqësohesh me dikë që ka tendenca hegjemonie

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se nuk mund të kesh miqësi me një vend që ka tendenca hegjemonie dhe mohon ekzistencën e fqinjëve.

Në Forumin për Paqe që po mbahet në Paris, Osmani foli konfliktin në Ukrainë dhe rastin e Kosovës.

“Në vitet e 90’ta disa e shini Millosheviqin si paqebërës, disa mendoni që vetëm me të do të arrihej paqja, por e dimë rezultatin. Rezultati ishte 150 mijë njerëz të vrarë të pafajshëm në luftën e Jugosllavisë. Mësimi është, nuk mund të miqësohesh nga një autokrat, nuk mund të afrohesh më dikë që ka tendenca hegjemonie, gjenocidale ndaj fqinjëve të vet, dikë që nuk e pranon por vazhdimisht e mohon ekzistencën e fqinjëve të tyre” – tha ajo.

Presidentja Osmani tha që në rastin e Kosovës edhe në rastin e Ukrainës dihet kush e kush është agresori dhe kush është viktima.

“Nuk duhet të biem në kurthin e lojës se të dyja palët janë të njëjta, sepse dëgjojmë deklarata se si të dyja palët kanë faj për një luftë që ka qenë absolutisht e paprovokuar nga Ukraina. Asnjëherë nuk do të duhej që të përdorej kjo qasje e dy palëve kur ka agresor të qartë dhe viktimë të qartë. Këtë e kemi parë edhe në luftërat në ish-Jugosllavi e këtë po e shohim edhe tani në luftën në Rusi. Këtu mund të mësojmë nga rasti i Kosovës, që fuqia jonë më e madhe qëndron tek partneriteti” – ka thënë ajo.

Në Forumin për Paqe në Paris, bashkë me presidenten Osmani është duke marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti.

Dje, në Pallatin Elysée, Osmani dhe Kurti janë pritur nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Osmani në një postim tha se bashkë me Macron kanë diskutuar për partneritetin mes dy shteteve, dinamizimin e dialogut me Serbinë si dhe zhvillimet e fundit në Kosovë.

Ndërsa, temë diskutimi mes Kurtit, Osmanit e Macron kanë qenë zhvillimet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri ka theksuar se Kosova ka propozuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, ndërsa propozimi franko-gjerman do të shërbejë si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme.

Edicioni i pestë i Forumit të Paqes në Paris do të mbledhë liderë nga mbarë bota, si dhe përfaqësues të lartë të organizatave ndërkombëtare, bizneseve, bankave zhvillimore për të diskutuar eliminimin e krizave të shumëfishta globale, duke promovuar forcimin e bashkëpunimit dhe multilateralizmit.