Vjosa Osmani dhe Albin Kurti - kandidatë të nominuar për kryeministër nga partitë përkatëse - REL

Osmani: Nga nesër do të vendoset për ndarjen e ministrive

Kandidatja për kryeministre e Kosovës nga radhët e LDK-së dhe nënkryetarja e kësaj partie, Vjosa Osmani tha se do të ketë koalicion ndërmjet LDK-së dhe LVV-së.

“Do të ketë Qeveri në mes të LDK-së dhe LVV-së, e pastaj kur ta nënshkruajmë marrëveshjen, mund të dihet se kush janë partnerët e tjerë”, tha Vjosa Osmani në emisionin Jeta në Kosovë.

Osmani ka bërë të ditur se që nga nesër do të diskutohet për ndarjen e posteve në Qeverinë e ardhshme 4 vjeçare.

“Nga takimi i nesërm të vendoset ndarja e përgjegjësive, ndarja e ministrive, që nënkupton se kush do të udhëheq çka”, tha Osmani.

Ajo nuk pranoi që t’i shpalosë se cilat janë kërkesat e LDK-së në takimin e nesërm.

“Marrëveshja LDK-LVV nuk do të prishet për pozita”, tha në mes tjerash ajo.

 

Me certifikimin e zgjedhjeve të 6 tetorit u bë e ditur se Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 29 ulëse në Kuvend, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës 28. Këto dy parti po vazhdojnë bisedimet për koalicion parazgjedhor.