Vjosa Osmani nga Manifesta/ Foto: KALLXO.com

Osmani nga 'Manifesta': Askush më shumë se Kosova nuk e meriton më shumë liberalizimin e vizave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në hapjen e edicionit të 14-të festivalit “Manifesta”, ka përmendur rëndësinë e liberalizimit të vizave për popullin e Kosovës.

Osmani ka thënë se askush nuk e meriton më shumë lirinë e lëvizjes më shumë se populli i Kosovës.

“Sonte siç jemi mbledhur këtu, e konsideroj si të drejtë të flas edhe për rëndësinë e liberalizimit të vizave për popullsinë e Kosovës. Gra, burra dhe shoqëri, shikoni rreth jush. Askush nuk e meriton më shumë lirinë e lëvizjes më shumë se njerëzit që shihni sot përreth jush. Arti nuk pranon limite. Arti dëshiron liri, arti lulëzon përmes lirisë”, u shpreh Osmani.

Presidentja Osmani tha se Prishtina është më e mira kur vjen puna te mikpritja.

“Prishtina është më e mira kur vjen puna tek mikrpitja e njerëzve nga mbarë bota. Për 100 ditë të Manifestës, Mbretëresha në fron do të shkëlqejë dhe do të kthehet në një pikë refernce kulturore ndërkombëtare”, ka thënë Osmani.

“Është një fakt i njohur gjerësisht se Kosova është shteti i të rinjve. Prandaj është kënaqësi që artistët tanë të rinj e kanë bërë Kosovën një referencë globale për këtë ngjarje të madhe kulturore. Katërmbëshjetëvjetori i Manifestës përkon me 14 vjetorin e pavarësisë së Kosovës”, shtoi ajo.

Më tej, Osmani tha se edicioni i 14 i “Manifestës” është një mundësi për ringjallur identitetin e kryeqytetit.

“Manifesta zgjodhi Prishtinën këtë vit, kjo tregon tradita të ndërthurura me modernizëm të cilat bashkërisht shtojnë, ngjyra, shpirt e bukuri kryeqytetit tonë. Edicioni i 14-të i Manifestës është një mundësi fantastike për të rigjallëruar identitetin lokal dhe ndërkombëtar të kryeqytetit”, theksoi Presidentja.

Ndër të tjera, ajo theksoi se tashmë është momenti ideal për t’i treguar botës potencialin e shquar të Kosovës.

“Është një moment ideal që t’i tregojmë botës, potencialin tonë të shquar. Prishtina këtë vit sjell Manifestën në Kosovë, dhe si e tillë e sjellë Kosovën në Evropë”, theksoi Osmani.

Festivali “Manifesta”, i cili do të mbahet në Prishtinë nga sot deri më 30 tetor, pritet të përfshijë rreth 25 hapësira/objekte në kryeqytet.