Foto: Zyra e Presidentit

Osmani në takimin me Minxhozin: Sigurimi i vaksinave është prioritet themelor i institucioneve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Sipas një njoftimi të Zyrës së Presidentit, Osmani thuhet se e ka njoftuar ambasadorin Minxhozi me zhvillimet politike në vend, veçanërisht me përpjekjet që Republika e Kosovës po i bën për vaksinimin sa më të shpejtë të qytetarëve të vendit.

Presidentja citohet të ketë thënë se sigurimi i vaksinave për qytetarët e vendit është prioritet themelor i institucioneve të republikës.

“Në kohën e thellimit të krizës globale me pandeminë Covid–19, ne jemi të përkushtuar maksimalisht që të sigurojmë vaksina për qytetarët tanë. Ky është prioritet mbi prioritetet për ne. Mbrojtja e shëndetit të qytetarëve dhe sigurimi i jetës së tyre është përkushtimi ynë i çdoditshëm”, theksoi ajo.

Sipas njoftimit, tutje thuhet se Osmani dhe Minxhozi diskutuan për mundësinë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, duke përfshirë qarkullimin e lirë dhe thellimin e raporteve kulturore, ekonomike dhe politike.

Kurse, ambasadori thuhet se e ka uruar Vjosa Osmanin për zgjedhjen si Presidente e Republikës së Kosovës, dhe e ka siguruar atë se shteti shqiptar do ta vazhdojë përkrahjen e mëtejme për Kosovën.

“Ne duhet të krijojmë politika të cilat e lehtësojnë edhe më tej bashkëpunimin ekonomik dhe kulturor ndërmjet të dyja vendeve”, citohet të ketë thënë ai.