Ambasadorja holandeze në Kosovë, Carin Lobbezoo dhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, 15 shkurt 2022, Foto: Presidenca e Kosovës

Osmani në takimin me ambasadoren holandeze: Kosova i ka plotësuar kriteret për heqjen e vizave

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, sot ka takuar ambasadoren e Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo.

Siç njofton Zyra e Presidentes, në këtë takim Osmani ka përsëritur se Kosova tashmë ka plotësuar kriteret për liberalizimin e vizave, ndaj në këtë kontekst ka shfaqur shpresën se do ta ketë mbështetjen e shtetit holandez.

Sipas presidentes, është radha që BE-ja ta mbajë fjalën kundrejt qytetarëve të Kosovës sa i përket liberalizimit të vizave.

“U diskutua edhe për zhvillimet në rajon dhe nevojën e integrimin të shteteve të rajonit të Ballkanit në BE”, thuhet në komunikatë.

Tutje, thuhet se në takim u diskutua për situatën e përgjithshme në vend, përballjen me pandeminë dhe mundësitë e intensifikimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

“Presidentja Osmani dhe ambasadorja Loobezo diskutuan edhe për bashkëpunimin politik dhe ekonomik ndërmjet Holandës dhe Kosovës. Presidentja Osmani ka potencuar se Kosova ka bërë hapa përmbajtësor në sundimin e ligjit dhe  krijimin e mjedisit të përshtatshëm për investitorët e huaj”, thuhet në komunikatë.

Në fund të takimit ambasadorja Loobezo ia ka dorëzuar  presidentes Osmani telegramin e urimit të mbretit të Holandës, Willem-Alexander R., për 14-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Holanda është njëra prej shteteve skeptike në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën. Kosova është i vetmi vend në rajon që ka regjimin e vizave.