Osmani në takim me Palmer e Lajçak: Dialogu Kosovë-Serbi të përfundojë me njohje

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, në takimin e sotëm me zëvendës-ndihmës sekretarin e shtetit amerikan, Matthew Palmer dhe të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, theksoi se Kosova pret që procesi i dialogut të përfundojë me njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve.

Sipas një njoftimi për media, ajo ripërsëriti qëndrimin se për Kosovën mbetet thelbësore që në këtë proces të respektohen plotësisht integriteti territorial, rregullimi i brendshëm kushtetues dhe shtetëror, si dhe funksionaliteti i vendit.

Për më tepër, presidentja theksoi çështjen e personave të zhdukur dhunshëm gjatë luftës së fundit në Kosovë, si prioritet në këtë proces.

“Ne presim që procesi të përfundojë me njohjen reciproke, duke i respektuar këto parime dhe që marrëveshja të jetë plotësisht e zbatueshme”, tha Osmani .

Kurse, Palmer dhe Lajçak, nga ana e tyre, e ritheksuan edhe një herë mbështetjen e tyre të plotë për procesin e dialogut dhe përmbylljen e tij me marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në takim me ta, presidentja Osmani theksoi se institucionet e Kosovës janë të përqëndruara maksimalisht në menaxhimin e pandemisë, zbatimin e reformave në fushën e sundimit të ligjit dhe zhvillimin ekonomik të vendit, si prioritete themelore  të institucioneve të vendit.

Ajo po kështu i falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-në për përkrahjen që u kanë dhënë qytetarëve të Kosovës në këtë kohë të vështirë për të gjithë ne.

Ajo shprehu mirënjohjen ndaj Bashkimit Evropian për donacionin e vaksinave dhe shfaqi shpresën se edhe SHBA-të do të ndajnë një numër të vaksinave për qytetarët tanë.

Pas takimit me presidenten, Vjosa Osmani, zëvendësndihmës sekretari i shtetit amerikan, Matthew Palmer së bashku me emisarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, kanë takuar edhe kryeministrin e Kosovës, Abin Kurti.

Palmer, i cili është edhe emisar i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, gjatë ditës priti në takime të ndara edhe dy liderët e partive opozitare, kryetarin e PDK-së, Enver Hoxhajn dhe liderin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.