![](https://kallxo.com/wp-content/uploads/2024/12/469838884_614393991249260_7410225026890107520_n-720x480.jpg)
Osmani në takim me ministrin hungarez, flet për sulmin në Zubin Potok dhe heqjen e masave nga BE-ja
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani më 10.12.2024 ka pritur në takim ministrin hungarez për Çështjet e Bashkimit Europian, János Bóka.
Sipas njoftimit, në takim u diskutua për situatën aktuale politike dhe të sigurisë, forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, procesin e integrimit europian, si dhe stabilitetin rajonal.
Osmani ka ritheksuar nevojën e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës, të cilat sipas saj, përveç se janë të pa drejta, prekin direkt interesin e qytetarëve të Kosovës, pa dallim.
“Ndërkaq në raport me zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë, Osmani ritheksoi përkushtimin e Kosovës për një hetim të plotë dhe profesional të sulmit terrorist ndaj infrastrukturës vitale, i cili kishte për qëllim dëmin direkt në jetën e qytetarëve”- thuhet në njoftim.
Ajo ka theksuar nevojën e qëndrimit unik të bashkësisë ndërkombëtare në mënyrë që të shmanget përsëritja e sulmeve të tilla terroriste nga bandat kriminale, “të cilat mbështeten, trajnohen dhe financohen nga Serbia”.
Osmani tutje ka thënë se Kosova është shembull pozitiv në rajon, pasi ka bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e sundimit të ligjit, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përmirësimin e transparencës dhe promovimin e qeverisjes së mirë.