Foto: ZPRK
Osmani në takim me ministren gjermane thekson rëndësinë e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 16.09.2024 është takuar me ministren e shtetit për Europë dhe Klimë të Republikës Federale të Gjermanisë, Anna Lührmann.
Sipas njoftimit, në takim u diskutua për tejkalimin e sfidave të përbashkëta, rëndësinë e bashkëpunimit Kosovë-Gjermani, si dhe mbështetjen gjermane për integrimin euroatlantik të Kosovës.
Osmani ka theksuar rëndësinë e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës, të cilat, sipas saj, padrejtësisht po prekin më së shumti qytetarët e vendit.
“Në takim u diskutua edhe për Procesin e Berlinit, me ç’rast Osmani ka ritheksuar mbështetjen e plotë për marrëveshjet e dalura nga ky proces”- thuhet në njoftim.
Ndërsa, tutje, Osmani, në prag të lansimit zyrtar të Qendrës Rajonale për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka shprehur rëndësinë e rritjes së partneritetit me Gjermaninë për iniciativa të përbashkëta të cilat kanë për qëllim avancimin tutje të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.