Osmani në takim me Lajçak: Suksesi në procesin e dialogut - i rëndësishëm jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur në takim sot pasdite të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Ajo tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ketë epilogun e njohjes së dyanshme.

Siç njftoi zyra për media e Presidencës së Kosovës, Osmani theksoi edhe rëndësinë e dialogut mes dy shteteve.

“Presidentja Osmani theksoi se suksesi i këtij procesi nuk është i rëndësishëm vetëm për Republikën e Kosovës, por edhe për të gjithë rajonin. Ajo konfirmoi edhe njëherë se Kosova mbetet palë e përkushtuar dhe konstruktive në dialog”, thuhet në njoftim.

Në takim, presidentja Osmani theksoi po ashtu urgjencën e adresimit të tendencave destabilizuese në rajon.

“Zhvillimet e fundit në rajon nuk mund të shihen vetëm nga prizmi i çështjeve të Ballkanit Perendimor, por si një kundërvënie e drejtpërdrejt ndaj vlerave, të cilat i përfaqëson Bashkimi Evropian dhe shoqëritë demokratike”, vijon njoftimit.

Nga ana tjetër, Lajçak ka vënë theksin te nevoja për aktivizim të BE-së në rritjen e kredibilitetit të procesit të zgjerimit dhe konfirmimin e së ardhmes evropiane për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor. Ai theksoi se ka hapësirë për progres në kuadër të dialogut, gjersa potencoi rëndësinë strategjike të këtij procesi për gjithë BE-në.