Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ambasadori jorezident i Australisë, Richard Rodgers. FOTO: Presidenca e Kosovës.

Osmani në takim me ambasadorin e ri të Australisë: Jemi të përkushtuar për paqe dhe stabilitet në rajon dhe Evropë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori jorezident i Australisë, Richard Rodgers.

Osmani e ka uruar Rodgersin për detyrën dhe ka shfaqur shpresën se gjatë mandatit të tij do të intensifikohen edhe më tej marrëdhëniet bilaterale në mes të dy vendeve.

Këtë e ka bërë të ditur Presidenca përmes një komunikate për media ku është thënë se lidhur me zhvillimet aktuale politike dhe të sigurisë, Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës vazhdojnë të jenë të përkushtuara për paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në rajon dhe Evropë.

“Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka folur mbi rëndësinë e bashkëpunimit në mes të shteteve demokratike dhe paqedashëse për t’i kundërshtuar përpjekjet e vazhdueshme të forcave keqdashëse jodemokratike”- është thënë në komunikatë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ambasadori jorezident i Australisë, Richard Rodgers. FOTO: Presidenca e Kosovës.
Ambasadori jorezident i Australisë, Richard Rodgers. FOTO: Presidenca e Kosovës.

Tutje, është theksuar se Osmani ka falënderuar Australinë për mbështetjen që e ka dhënë përgjatë viteve për Kosovën, dhe ka potencuar rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së mëtejme në rrugën drejt anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe forcimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

“Presidentja Osmani potencoi se Australia ka qenë dhe mbetet një shtet mik dhe aleat strategjik i Kosovës. Me ambasadorin Rodgers u dakorduan për koordinim të ngushtë drejt hapjes së kapitujve të rinj të bashkëpunimit, përfshirë edhe projektet e përbashkëta për fuqizimin e grave dhe vajzave, dhe projekte tjera të interesit të dyanshëm”- është thënë në njoftimin për media.

Ambasadori jorezident i Australisë, Richard Rodgers. FOTO: Presidenca e Kosovës.