
Osmani në SHBA pritet të mbajë fjalim në "Drekën Ndërkombëtare" në kuadër të Lutjeve Nacionale të Mëngjesit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të marrë pjesë në Lutjet Nacionale të Mëngjesit në Washington D. C. në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Osmani e ftuar nga një grup kongresistësh amerikanë do të mbajë fjalim në njërën nga ngjarjet e këtij organizimi të Kongresit.
“Në kuadër të kësaj ngjarjeje, e cila mbledh mijëra kongresistë, politikanë, biznesmenë dhe përfaqësues të Shoqërisë civile nga mbarë bota, presidentja Osmani do të mbajë fjalimin kryesor nga përfaqësuesit ndërkombëtar në kuadër të Drekës Ndërkombëtare.” – thuhet në komunikatën e Presidencës.
Presidentja pritet të flasë për rrugëtimin e popullit të Kosovës, duke folur për besimin e qëndrueshmërinë e qytetarëve nga ditët të cilat Presidenca i ka quajtur më të vështira deri më sot.
Takime me zyrtarë të Administratës së SHBA-së e kongresistë amerikanë pritet të zhvillojë Presidentja gjatë qëndrimit në SHBA.
Këto takime pritet të zhvillohen me fokus në forcimin e partneritetit me SHBA-të dhe avancimin e aspiratave euroatlantike të Kosovës.
“Lutjet Nacionale të Mëngjesit janë një traditë gjashtëdekadëshe, ku çdo vit mblidhen zyrtarët më të lartë amerikanë, anëtarë të Kongresit, politikanë dhe udhëheqës ushtarakë, si dhe mysafirë nga shumë vende të botës për lutje të përbashkëta.” – thuhet tutje në komunikatë.
Në bazë të njoftimit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Osmani do të takohet me Zyrtarin e Lartë për Çështjet Europiane dhe Euroazinë, Louis L. Bono.
“Në orën 9:30, Zyrtari i lartë i Byrosë Bono takohet me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu në Departamentin e Shtetit.” – shkruan në njoftimin e DASH-it.
Presidentja Osmani në DASH, pritet të zhvillojë takimin e parë në Administratën e presidentit Trump