Osmani në Nju Jork takohet me këshilltarin e DASh-it Chollet dhe Escobarin, flasin për dialogun me Serbinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Nju Jork , është takuar me këshilltarin e Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Derek Chollet dhe të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Osmani në ketë takim ka theksuar nevojën për të ecur përpara me procesin e dialogut me Serbinë, të përqendruar në njohjen reciproke.

“Osmani potencoi nevojën që Serbia t’i zbatojë obligimet e saj nga marrëveshja për udhërrëfyesin e energjisë dhe nevojën urgjente që të arrihet sukses sa i përket marrëveshjes për të zhdukurit me dhunë”-thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidencës.

Ajo ka shprehur mirënjohjen e saj për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve, dhe në veçanti përkrahjen e SHBA-ve në procesin e dialogut.

Osmani ka diskutuar për zhvillimet e fundit në rajon dhe më gjerë si dhe bashkëpunimin e mëtejmë për ta avancuar integrimin euroatlantik të Kosovës, si një parakusht për stabilitet afatgjatë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron në Nju Jork, ku në margjina të sesionit të 77-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, krahas liderëve të tjerë botërorë do të marrë pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden.

Presidentja Osmani gjithashtu do të ketë takim edhe me mërgatën shqiptare në Amerikë.